Makolli: Mbi 11 mijë viktima shqiptare nga lufta në Kosovë, kriminelët serbë të lirë, me poste drejtuese politike e ushtarake
Ibrahim Makolli thotë se nuk mund të bëhet drejtësi kur kjo bëhet në bazë etnike.
Në një intervistë për Ora News ai thotë se janë mbi 11 viktima shqiptare nga lufta në Kosovë ndërsa përgjegjësit për to që kanë dalë para drejtësisë numërohen me gishtat e dorës.
Makolli: Drejtësia dështon atëherë kur përpiqet të krijojë drejtësi në bazë etnike. Drejtësia ndërkombëtare do të duhej të merrej me të gjitha krimet e kryer në Kosovë. Janë mbi 11 mijë viktima shqiptare për të cilat numërohen me gishtat e dorës ata që janë përgjigjur para drejtësisë.
Ai sjell në vëmendje se "me qindra dhe mijëra kriminelë shëtisin lirshëm në Serbi dhe shumë prej tyre sot vazhdojnë të ushtrojnë pozita udhëheqëse qoftë politike dhe ushtarake".
Sipas tij, është e domosdoshme të gjykohen krimet serbe të kryera ndaj popullatës civile në Kosovë.
Kritika ka edhe për misionet ndërkombëtare në Kosovë, të cilat sipas tij nuk kanë patur vullnet për ta bërë këtë gjë edhe pse nuk kanë munguar provat dhe dëshmitë.
Makolli: Dihen me emër dhe mbiemër ata që kanë kryer krime në Kosovë. Për fat të keq as administrata e UNMIK dhe as EULEX nuk kanë patur vullnet të nxjerrin para drejtësisë kryerësit e krimeve përkundër faktit se kanë pasur informata dhe dëshmi të bollshme. Ka munguar vullneti i një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare me pretekstin se ndjekja e serbëve që kanë marrë pjesë në krimet e luftës do të rezultojë me braktisje të Kosovës nga ana e komunitetit serb. Këtë na e kanë thënë shumë herë pas luftës autoritete të ndryshme.
Ai nënvizon se "ka pasur dhe vazhdon të ketë një numër shtetesh që kanë qenë dhe janë kundër lirisë së Kosovës dhe po bëjnë çmos që këtë liri, këtë pavarësi ta kontestojnë në forma të ndryshme, madje të paraqesin edhe para opinionit ndërkombëtar ata që na kanë mbështetur sikur kanë mbështetur grupe që kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjë që është krejtësisht e pavërtetë dhe e palogjikshme edhe për ata që kanë njohur minimale për atë që ka ndodhur në vitin 1998-1999 në Kosovë".
Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana