Konsultë e pakërkuar me kryeministrin
Në një botë të trazuar askush nuk është i pacënueshëm nga problemet e shëndetit mendor. Disa profesione kanë një rrezik më të lartë të ekspozimit ndaj faktorëve stresues dhe kur kjo kombinohet me paketën infividuale të faktorëve biologjikë dhe psikologjikë (predispozita gjenetike, sëmundjet trupire, substancat, struktura e personalitetit, konfliktet psikologjike, etj.) mundësitë e vuajtjes nga një problem i shëndetit mendor ekzistojnë
Politikanët, posaçërisht profilet e larta, kanë një rrezik të shtuar të vuajtjes nga probleme të shëndetit mendor, e shoqëruar kjo me stigmatizim të theksuar dhe paaftësi për ta pranuar atë. Ndaj edhe konsulta mbetet shpesh e pakërkuar. Elektorati nuk do të pranonte një Kryeministër të “sëmurë mendërisht”. As Kryeministri nuk do ta pranonte sëmundjen. Vendimet që ai merr dhe pozicioni që ai ka ndikojnë në jetët tona dhe në demokracinë e vendit.
Ndaj shëndeti mendor i tyre, i politikanëve, i drejtuesve të shtetit duhet patjetër të shndërrohet nga një tabu, në një diskutim të hapur publik. Diskutim që nuk ka për qëllim linçimin, por këshillimin. Kjo i shërben individëve në fjalë, por edhe më gjërë, interesit publik. Unë do të përpiqem ta shtjelloj si një observies i jashtëm, nga të dhënat publike dhe ndjekia mediatike e sjelljes, deklaratave, qëndrimeve, duke hequr nga vetja angazhimin politik dhe duke mbajtur parasysh vetëm profesionin. Le të rendisim disa të dhëna.
Për Z.Rama ka pasur një botim të një kartele mjekësore psikiatrike, vërtetësinë e të cilës nuk e di dhe nuk po e marrim parasysh. Para se të hynte në politikë, jeta e tij ka qenë e rrëmujshme, në vitet 90 u përfshi në lëvizjen studentore, dukej anarkist dhe antikomunist, të cilën e lexoj si përpjekje për të tërhequr vëmendjen.
Ai largohet nga Shqipëria dhe bën një jetë pa ndonjë cak në Francë. Ka disa martesa që zgjasin shkurt dhe që shoqërohen me mosmarrëveshje, në disa raste edhe dhunë (sipas deklarimeve publike të ish-bashkëshorteve apo bashkëjetueseve të tij). Hyrja në politikë e bëri që të ketë vëmendje publike, ku synon të bëjë ndryshime ekzemplare. Duket se mishërohet me idenë e misionarit dhe të pamposhturit, elokuent, pa empati, përdor këdo që ka poshtë vetes, grumbullon mjaft pushtet. Ka shpesh fjalë se përdor substanca psikostimuluese, të paprovuara.
Shfaqet së fundmi me dhimbje të zgjatura të mesit (prej disa vitesh), nervoz, bullizon, ndaj çdo kritike irritohet me lehtësi, në disa raste duket i lodhur. Kjo duket e lidhur edhe me frikën e humbjes. Rama duket të jetë aq shumë i investuar te roli i tij, saqë pikëllimi fillon që në momentin e mendimit që nuk mund ta humbasë këtë rol. Përdor shpesh shprehje në lidhje me veten apo grupimin, të cilat duken më shumë si mbulesë e një pasigurie dhe vetëbesimi të ulur.
Shumë nga ne e shohin si të pazakontë si personazh publik dhe si karakter, me shumë orë pune në javë, kudo i mbuluar nga mediat, me një superinvestim te vetja, te krijimi i imazhit për veten dhe rolin e tij. Frika më e madhe duket të jetë se një ditë nuk do ti ketë më dritat të projektuara te vetja.
Atëhere çfarë?! Boshllëk i frikshëm. Ai ka premtuar se do ti kthehet artit, po stimulimi që merr prej tij nuk krahasohet me atë që merr nga politika. Ndaj duket irracional gjithmonë e më shumë nga frika e rënies në boshllëk. Frika nga humbja duket si frika më e madhe që po e shoqëron dhe shpjegon shumë nga sjelljet dhe qëndrimet e tij politike aktuale.
Ai do të bëjë shumë gabime në përpjekje për të mos hyrë në pikëllimin e humbjes së idesë/rolit dhe nga humbja e stimulimit që përjeton.
Humbjen e tij, Rama e sheh si humbje kombëtare, në fakt është thjesht personale ose e grupimit të tij politik. Ai duhet të menaxhojë pikëllimin e humbjes e idesë/rolit duke i integruar këto në përjetimet individuale dhe të gjejë stimuj të rinj në jetë, si familja, një projekt të ri apo një rol i ri social. Kjo nuk ndodh as në mënyrë magjike, as me automatizëm, por vjen përmes një procesi pikëllimi normal me të cilin punohet që tani. Këtu luajnë rol konstruktiv ose përkeqësues bashkëpunëtorët. Shëndeti i tij mendor duket në zgrip, ekonomia mendore duke e shbalancuar dhe nëse do të rikthejë ekulibrin duhet të marrë parasysh këshillat e mia.
Ndryshe, Rama ka të gjitha premisat të vuajë nga probleme të shëndetit mendor: një gjendje emocionale jo e mirë, më shumë ankesa trupore, më shumë reagime irracionale, më tepër përdorim të substancave, me shumë probleme ndërpersonale, vetëbesim më i lëkundur dhe ajo që është më e dëmshmja më shumë vendime të paqarta apo të dëmshme në politikë dhe drejtimin e vendit.
Ky është momenti i një reflektimi të thellë dhe i dëgjimit të këshillave, ndryshe e gjitha do të jetë një fund traumatik dhe i dhimbshëm për ju në radhë të parë.
*Autori është mjek psikiatër dhe kreu i LSI, Pogradec