Hetimi për 294 mijë eurot e bllokuara në Durrës, në kërkim pronari i kompanisë, i proceduar për drogë

Antikrimi ekonomik i policisë së Durrësit dhe Prokuroria janë vënë në lëvizje pas kapjes së 294 mijë eurove të padeklaruara në port mbrëmjen e të premtes.  Një person i proceduar më parë për trafik droge është shpallur në kërkim pas kapjes së 294 mijë eurove të fshehura në një kamion në portin e Durrësit.

Policia ka marrë në pyetje drejtuesit e automjeteve të cilët mohuan të kishin dijeni për kartëmonedhat. ndërkohë hetuesit dyshojnë se paratë që po transportoheshin nga Bergamo në Lushnje, rrjedhin nga aktiviteti kriminal i shtetasit Erjon Jovani i cili është shpallur në kërkim.

Sipas policisë ky shtetas ka qenë i proceduar më parë për çështje droge ndërsa destinacioni i parave që po transferoheshin ilegalisht nga Italia ka qenë qyteti i Lushnjes.

Burime të policisë kanë pohuar se 36-vjeçari  Erjon Jovani është proceduar penalisht për trafik narkotikësh në 2016 pasi ka tentuar të trafikojë në Itali një ngarkesë prej 190 kg kanabis.

Pas kapjes së sasisë së eurove në portin e Durrësit policia ka zgjeruar hetimet në lidhje me aktivitetin e pronarit të kompanisë së transportit me qëllim identifikimin e precedentëve të tjerë penalë të tij. Shuma e konsiderueshme u gjet e fshehur në dy mjete që mbërritën në Shqipëri nga porti i Ankonës në Itali ndërkohë që policia ka vënë në pranga shtetasin Ferdinant Murikaj, i cili drejtonte mjetin ku u gjetën të fshehura në pjesë të ndryshme mbi 282 mijë euro.

Ndaj 29 vjeçarit është ngritur akuza për mosdeklarim të shumës monetare në kufi por mësohet se në sqarimet paraprake në polici, i riu nuk ka pranuar se ishte në dijeni për Kartëmonedhat e fshehura në mjetin që drejtonte. Ndërkohë policia ka proceduar penalisht  shtetasin Aldo Lika  drejtues në automjetin tjetër, në çantën personale të tij, u gjetën dhe sekuestruan mbi 11 mijë euro.