Lushnje, rruga që shkatërron nga nervat shoferët dhe jo vetëm
Prej më shumë se 10 vitesh rruga e ish-njësisë administrative Ballagat në Lushnje nuk është rikonstruktuar e as mirëmbajtur. Mungesa e vëmendjes dhe e investimeve e ka nxjerrë rrugën jashtë funksionit duke vështirësuar jetën e banorëve të cilet apelojnë për një ndërhyrje urgjente.
Shtatë kilometra rrugë në njësinë administrative Ballagat në Lushnje janë kthyer në një sfidë të përditshme për drejtuesit e automjeteve që kalojnë aty.
Qytetarët thonë se gjendja e këtij aksi ua ka vështirësuar jetën.
“Aq shumë na e ka vështirësuar jetën kjo rrugë, por s'kemi çfarë të bëjmë, ka 10 vjet në këtë gjendje”, shprehen banorët.
Zona ka resurse të shumta natyrore, por është harruar nga institucionet, çka i ka detyruar shpesh drejtuesit e mjeteve të hedhin zhavorr në rrugë.
“Edhe këtë zhavorrin e kanë hedhur shoferat jo shteti, i kemi paguar vetë lekët”, shprehen banorët.
Asfalti që është hedhur para më shumë se 10 vitesh tashmë është shkatërruar.
“Duhet të vendosi dorën shteti, të na bëjë një mirësi”, shprehen banorët.
Harresa e institucioneve dhe mungesa e investimeve ka tkurrur numrin e popullsisë pasi njerëzit kanë zgjedhur të largohen drejt zonave urbane për kushte më të mira jetese.
