Fshati Neviçisht në Korçë, pa ujë të pijshëm, në mes të ujërave të zeza
Banorët e fshatit Neviçisht në Korcë ankohen për mungesën e investimeve. Ata thonë se vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, ndërsa mungesa e kanalizimeve bën që ujërat e zeza të vërshojnë në rrugët e fshatit.
Fshati Neviçisht ndodhet vetëm 3 kilometra nga qyteti i Korçës, por banorët thonë se nuk kanë qenë kurrë në fokusin e Bashkisë.
Mungesën e investimeve thonë se kanë vuajtur në tre dekada demokraci, por prej një viti flasin për shqetësime jetike.
Uji i pijshëm u shkon vetëm 2 orë në ditë.
“Ujin e pijshëm as 2 orë në ditë nuk e kemi”, shprehen banorët.
Në mungesë të ndërhyrjeve për Ujësjellës, shpëtim kanë gjetur tek puset.
“Vetëm në mëngjes 2 orë dhe s’ka më ujë këtu, por mirë që janë puset”, shprehen banorët.
Ndërsa uji i pijshëm mungon, ujërat e zeza vërshojnë mes zonave të banuara.
Fshati nuk ka asnjë sistem kanalizimesh,duke i vënë përballë rrezikut të infeksioneve, kur i shtojnë problematikën me mos grumbullimin e mbetjeve.
“Këtu nuk ka kanalizime fare, unë kam 20 vite në këtë fshat dhe kurrë s'ka pasur kanalizime”, shprehen banorët.
Thonë se janë takspagues të rregullt, por Bashkia e drejtuar nga Sotiraq Filo nuk u ka kthyer asgjë si investim.
“Taksat i paguajmë të gjitha, por këtu tek ne as nuk kanë vënë dorë fare”, shprehen banorët.
Mungesa e investimeve nga Bashkia është shqetësim në shumë fshatra të Bashkisë së Korçës.