Teste për të gjithë popullatën? Koraqi: Nuk kemi një datë, ja pse nuk është i domosdoshëm
Duket se vendimi për testime të shpejta, propozim ky i ardhur nga Komuniteti Teknik i Ekspertëve ka ende boshllëqe në vetvete.
Diçka të tilla e ka sqaruar Andi Koraqi për Ora News, ku ka thënë se testimet në masë nuk janë të nevojshme, por grupet e riskut duhen mbajtur nën kontroll.
Sipas tij nuk ka një datë se kur do të nisin këto testime.
“Testet e shpejta që pëcaktojnë antigjenin janë të ngjashme me ato që i quajmë tampone dhe përcaktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë virusin. Nuk ka një datë fikse se kur do të fillojnë, por rekomandimi thonte se do të ishte mirë që këto teste të fillonin të përdoreshin. I takon instancave të tjera që të marrin vendimin”, ka thënë Koraqi.
-Për testin serologjik ju keni vijuar me grupet e riskut, por kur do të fillohet me popullatën?
Për momentin, flas për QSUT, nuk flitet dhe nuk kemi një datë për popullatën. Me sa di unë një gjë të tillë do ta bëjë ISHP, por ne po bëjmë testimet e grupeve në risk, siç janë personeli shëndetësor në të gjithë vendin, pasi të mbarojmë këtë do të vijojmë me policinë apo mësuesit.
-Ju si komitet e gjykoni që duhet të nisin testet serologjike dhe për popullatën?
Në gjykimin tim nuk do të thoja që duhet të fillojnë për popullatën, por për grupe të caktuara siç janë studentët apo një fashë e nxënësve që ndoshta është e domosdoshme. Kjo nuk është diskutuar.
-Mendon se duhet të kërkohet një shtim i testeve më shumë se sa janë tani?
Nuk ështe e domosdoshëm shtimi i testimeve, por është i rëndësishëm një gjurmim i mirë epidemologjik, sepse në rast të kundërt nuk kanë asnjë lloj vlere. Ti mund të testohesh sot dhe je negativ. Pas një ore bie në kontakt me një person pozitiv.