"Një deputet i parlamentit shqiptar votoi rezolutën e Dick Marty" Milaim Zeka bën deklaratën e fortë: Turp i madh!

I ftuar në studion e Ora News, analisti i njohur Milaim Zeka ngre pyetjen pse dhe nga kush u lejua Carla del Ponte të kryente hetimet në territorin shqiptarë ndërkohë që ish kryeprokurorja kishte autoritet të hetonte vetëm brenda territorit të Ish Jugosllavisë.

“Pjesa dërrmuese e njerëzve që kanë punuar në sektorin e zbulimit gjoja të krimeve të luftës të UÇK-së janë nga Shqipëria” tha ai në një intervistë me skype për gazetaren Matilda Mcini në studion e Ora News mbrëmjen e sotme.  

 Gjatë intervistës ai thotë se një deputet shqiptar të Shqipërisë ka votuar pro rezolutës së Dick Marty në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës.

Ora News: Nëse nuk kishte një mandat atëherë si u lejua të bëhen hetime në Shqipëri?

Milaim Zeka: Për këtë duhet të pyesin Lulzim Bashën i cili në atë kohë punoi në UNMIK në Kosovë. Të pyesni njërin nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ali Ahmetit, Artan Grubin. Mund të pyesin edhe vajzën e Sali Berishës, Argitën, e cila po ashtu ka punuar së bashku me Lulzim Bashën në organizatën e OKB në Prishtinë në sektorin që janë marrë me hulumtimin e krimeve të luftës. Keni dhe plot shqiptarë të Shqipërisë.  Linda Baleta që kanë punuar me këto autoritete. Pjesa dërrmuese e njerëzve që kanë punuar në sektorin e zbulimit gjoja të krimeve të luftës të UÇK-së janë nga Shqipëria.  

Pse po e them?

Milaim Zeka: Matilda po të shikoni me vëmendje dhe të futeni më thellë në historinë aktuale të Gjykatës Speciale dhe Prokurorisë Speciale ka qenë kusht që të gjithë ata që kanë lindur në Kosovë ose që i kanë prindërit nga Kosova nuk kanë mundur të punojnë në Gjykatën Speciale. Imagjino kriterin e rreptë. Edhe sot njerëzit kryesorë që punojnë në prokurorinë e Hagës janë nënshtetas të Republikës së Shqipërisë.

Ora News: Çfarë i lidh personazhet me faktin e lejimit të kryerjes së hetimeve në Shqipëri?

Milaim Zeka: Ata duhet të flasin. Ata duhet të tregojnë, ka pasur apo nuk kanë pasur mandat. Unë të them se Carla del Ponte nuk ka pasur asnjë mandat për të hetuar brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Mbi bazën e këtij mandati fals është akuzuar dhe janë dënuar njerëz sidomos grupi i Drenicës, gjoja për një kamp atje të ndalimit në Kukës. Dhe njëri prej të dënuarve, Sabit Geci i cili edhe një herë do të arrestohet nga ky trup i ri gjykues që quhet gjykatë special por që është aprovuar nga kuvendi i Kosovës.

Zeka thotë se krijimi i gjykatës për dënimin e ushtarëve të UCK-së që mund të kishin kryer krime individuale ishte kusht por që u neglizhua nga politikanët në Kosvoë.

Milaim Zeka për Ora News: Serbia dhe vendet e tjera të ish Jugosllavisë arritën të krijojnë gjykatat e tyre speciale brenda territorit të tyre, qoftë dhe krejtësisht formalisht. Serbia arriti të gjykojë një gjykatë special të krimet e luftës dhe u dënuan ushtarë të ushtrisë serbe për krimet e kryera ndaj pjesëtarëve shqiptarë në Kosovë.

Por Kosova nuk bëri asnjë lëvizje në këtë drejtim. Politikanët e Kosovës, qoftë Hashim Thaçi, Haradinaj, Veseli nuk morën një iniciativë për të krijuar një gjykatë të tillë që do të dënonte krimet e pjesëtarëve të UCK-së, po flas për krime individuale që dikush i kishte kryer ndaj shqiptarëve dhe serbëve. Këta e neglizhuan faktin që një gjë e tillë ishte kërkesë nga bashkësia ndërkombëtare dhe duhej bërë qoftë dhe formalisht.

Madje Zeka kujton dhe paralajmërimet që ndërkombëtarët i kishin bërë disa herë politikanëve të Kosovës.

Milaim Zeka: Në 2004 pati një tentativë për arrestimin e krerëve të UCK-së dhe në atë kohë plasën ngjarjet e 2004 ku pati shumë të vrarë e shumë të plagosur dhe për herë të parë u dogjën  kishat ortodokse serbe, që në bazë të historiografisë janë kisha shqiptare.

Në 2008 kryeadministratori ndërkombëtar, zoti Petersen i thirri këta liderë politikë të dalë nga lufta dhe u tha: Boll më! Ju jeni njerëz që mbi tavolinën time keni dhjetra akt akuza që unë po i stopoj dhe nuk po lejoj autoritetet e EULEX që tju arrestojnë por ju duhet të tërhiqeni nga krimi e politika. Një mesazh të tillë e kishte dhënë edhe ish zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, James Rubin, i cili vizitoi Kosovën në 2007. Ai u tha “Gjeneralët e luftës duhet të pensionohen të lënë politikën” por këta njerëz nuk e lanë e vazhduan.

U krijuan shumë pakënaqësira. U krijua një varfëri ekstreme, proces privatizimi i tmerrshëm. Gjithë pasuria e Kosovës u shit për 650 milionë euro, e barabartë me një fabrikë cigare në Serbi. Kjo ishte një tronditje për bashkësinë ndërkombëtare. Më pas lindi përralla e “Shtëpisë së verdhë”, alibi për të krijuar Gjykatën Speciale. Iniciativa për krijimin e Gjykatës Speciale erdhi nga Serbia me sponsorizimin e Rusisë por më pas Amerikanët në momentet e fundit e ndaluan. U thanë o do e bëni Gjykatën Speciale përmes Këshillit të Sigurimit përmes OKB ose do e bëni gjykatën përmes Brukselit dhe Ëashingtonit.

Deputeti shqiptarë që  votoi rezolutën e Dick Marty

Milaim Zeka kthehet pas në kohë dhe kujton momentin kur u votua rezoluta e Dick Marty në Asamblenë  e Përgjithshme të Këshillit të Europës.

Milaim Zeka: Edhe diçka që për habinë më të madhe nuk është ngritur asnjëherë nga mediumet shqiptare në Tiranë. Askush nuk e ka thirur në studio Arta Daden, ish ministren e Jashtme të Shqipërisë.

Në këtë kohë që po flasim kur u votua rezoluta  e Dick Marty, Arta Dade ka qenë deputete. Arta Dade duhet të japë sqarim publik pse nuk ishte në atë komisionin juridik që mblidhet para se rezoluta të shkojë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës. Ky komision voton rezolutën para se të shkojë në Asamble.

Pyetjen që e kam ngritur vazhdimisht: Pse Arta Dade dhe Ermira Mehmeti nga Maqedonia nuk ishin aty dhe pse nuk votuan.

Ermira Mehmeti e ka dhënë shpjegimin shumë shokant, duke thënë se na thirri dikush dhe na urdhëroi që të mos votonim. Ermira Mehmeti dhe Arta duhet ta shpjegojnë.

Ata mund të votonin kundër por nuk votuan fare. Sipas hulumtimeve të mija nëse ata do të votonin kundër rezoluta nuk do të shkonte në Këshillin e Përgjithshëm të PE. Do të stopohej.

Së bashku me deputetin e parlamentit suedez, djalë i Kosovës, Adnan Dibrani po më ndihmon me hulumtimin e kësaj dosjeje për të bërë një film dokumentar nëse ka ekzistuar apo jo kjo shtëpi e Vedhë. Deri më tani në hulumtimet tona rezulton se të paktën deri më tani, një deputet shqiptar i Shqipërisë, për turpin e madh, ka votuar pro kësaj rezolute. Shumë shpejt do të bëhet publike.

Zeka thotë se sot ose nesër priten arrestime për Komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së zotin Azem Syla