"SPAK s'ka marrë ende leje të flasë", Malltezi: Të njëjtët hajdutë në të gjitha aferat e mbetjeve

Teksa e gjithë vëmendja mediatike duket se po shkon te zgjedhjet në SHBA apo situata me pandeminë, anëtari i Kryesisë së PD, Jamarbër Malltezi i rikthehet edhe një herë aferës qindra milionëshe të inceneratorëve.

Sipas Malltezit, ndër të parët që ka denoncuar publikisht këtë aferë, në të gjitha tenderat dhe PPP-të që lidhen me mbetjet qarkullojnë të njëjtët emra.

Zyrtari i PD ironizon më tej me Prokurorinë Anti-Korrupsion duke u shprehur se, "SPAK nuk ka marrë ende leje të flasë".

Jamarbër Malltezi: “30 milionë euro për një gropë plehrash! Me 400 milionë dollarë Toyota po ndërton fabrikat për makinat fluturuese!!

15 milionë euro vjedhje me Porto Romanon

2.6 milionë euro vjedhje me impiantet që nuk ekzistojnë më në Shkumbin dhe Erzen!

Të njëjtët hajdutë në të gjitha aferat. SPAK nuk ka marrë ende leje te flasë”.

PD ka kallëzuar tashmë në SPAK kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, ish- ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, emra që sipas selisë blu fshihen pas kësaj afere.

Sipas demokratëve, i gjithë shteti është vënë në dispozicion të inceneratorëve, teksa paralajmëroi se në ditët në vijim do të bëjnë denoncimin edhe për inceneratorët e tjerë.