PS kufizon me ligj Ilir Metën, konsultim me partitë për zgjedhjet, betimi i ministrave dhe gjyqtarëve edhe në Kuvend

Mazhoranca kërkoi kohën e saj që të përpilonte një ligj për të kufizuar Presidentin, si një hakmarrje për të ndalur kundërshtitë e Ilir Metës ndaj qeverisë së majtë.

PS i ka vendosur afate kohore Kreut të Shtetit se kur dhe si do ta përcaktojë ai datën e zgjedhjeve, dekretimin e minisTrave dhe betimin e gjyqtarëve e prokurorëve.

Për t’i hequr çdo tentativë për të çdekretuar ditën e votimeve, siç bëri me 30 qershorin, socialistët i kanë vendosur detyrim Kreut të Shtetit konsultim me partitë politike për caktimin apo shtyrjen e zgjedhjeve.

"Presidenti cakton datën e zgjedhjeve pas konsultimit me partitë parlamentare. Në rast se mungon konsensusi, atëherë Presidenti cakton datën e zgjedhjeve, sipas propozimit të partisë apo partive që mbajnë numrin më të madh të mandateve parlamentare. Presidenti mund të shtyjë datën e zgjedhjeve në zbatim të masave të jashtëzakonshme ose për interesa madhore në dobi të zgjedhjeve, por vetëm pasi të konsultohet me partitë parlamentare".

Socialistët kanë gjetur zgjidhje edhe nëse Kreu i Shtetit nuk bindet për përcaktimin e datës së zgjedhjeve

"Në rast se Presidenti nuk nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve, data caktohet nga Kuvendi me miratimin me shumicë votash të deputetësh brenda 10 ditëve nga afati i dekretimit".

Me këtë ligj Ilir Meta nuk mund t’ja plotësojë dëshirën e qytetarëve për të shpërndarë Parlamentin me argumentin se nuk ka 140 deputetë.

"Shpërndarja e Kuvendit bëhet nga Presidenti në rastet kur Kuvendi nuk arrin të miratojë në dy raunde Kryeministrat e emëruar dhe as të zgjedhë vetë Kryeministër tjetër, si dhe në rastin kur Kryeministri humbet mocionin e besimit dhe i kërkon Presidentit të Republikës që të shpërndajë Kuvendit".

Pas përplasjes Rama-Meta për rastin e Sandër Lleshaj dhe të Gent Cakaj, socialistët ishin përbetuar që nuk do t’ja linin më në dorë Presidentit të Republikës mosdekretimin e ministrave të qeverisë.

"Në rast se Presidenti i nuk nxjerr dekretin për emërimin e ministrit të propozuar nga Kryeministri brenda 7 ditëve nga marrja e propozimit, atëherë ministri e bën betimin në Kuvend".

Por ekspertët kanë menduar edhe për raste përjashtimore, madje duk i dhënë të drejtë Ilir Metës në rastin e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

"Përveç kur nuk plotëson kushtet për të qenë deputet, nuk ka shtetësinë apo moshën e kërkuar, nuk ka dhënë dorëheqjen nga detyra e gjyqtarit, prokurorit, ushtarakut të shërbimit aktiv, punonjësit të policisë apo të sigurimit kombëtar, përfaqësuesit diplomatik, apo të kryetarit të bashkisë apo prefektit."

Socialistët i kanë dhënë kompetencë KLGJ për të rrëzuar me shumicë vote dekretin e Presidentit për mosemërim në Gjykatën e Lartë.

"Dekreti i Presidentit për mosemërimin e kandidatit për gjyqtar të Gjykatës së Lartë humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Nëse Presidenti nuk bën emërimin  për Gjykatën Kushteutese brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar".

Betimi i Arta Vorpsit tek noterja tashmë nuk do të jetë më precedent, pasi edhe për këtë pikë mazhoranca ka gjetur zgjidhjen tek Kuvendi dhe organet e reja të drejtësisë.

"Në rast se ceremonia e betimit nuk organizohet nga Presidenti brenda 10 ditëve, atëherë betimi kryhet përpara Kuvendit, për të gjithë funksionarët apo gjyqtarët që zgjidhen apo miratohen prej tij, kurse për të tjerët përpara organit propozues."

Në fund socialistët e saNksionojnë me ligj se në rast se Kreu i Shtetit refuzon zbatimin e këtij ligj përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe mjafton sipas tyre për të nisur procedurat për shkarkimin e tij.

LEXO edhe- Deputeti i PS: Synojmë të zgjidhim ngërçet artificiale

Meta: Zero interes, përpjekje puçiste nga një parlament jo kushtetues që qytetarët më kërkojnë ta shpërndaj