Covidi ikën, tamponi nuk vjen! Mjekët japin kura pa pritur konfirmimin, Alimehmeti: Testet për statistika
Qytetarët po denoncojnë gjithnjë e më shumë vonesa në kryerjen e tamponit dhe marrjen e përgjigjes për infektimin nga COVID. Shpesh pacientët që shfaqin simptoma, njoftojnë ISHP-në por e kalojnë sëmundjen në pritje për të bërë tamponin. Për këtë arsye mjekët infeksionistë kanë nisur të aplikojnë kurimin e Covid bazuar në simptoma pa pritur konfirminin nga tamponi apo nga testet.
Qytetarët që shfaqin simptoma të infektimit me Covid 19 po presin me javë deri në kryerjen e tamponit, ndërkohë që edhe pas kryerjes së testimit përgjigja vonon me disa ditë.
Vonesa totale pas shtimit të infektimeve të reja ka arritur në mbi dy javë, aq sa është edhe cikli mesatar i sëmundjes në organizëm.
Për këtë arsye mjekët kanë filluar të praktikojnë mjekimin përkatës pa pritur rezultatet e testit për konfirmim nëse pacienti është prekur ose jo.
Alimehmeti:Në fund fare trajtojmë personin jo rezultatin e testit, nga sëmundjet e tjera që ka pasur më përpara, nga analizat laboratorike. Mjeku nuk e sheh pothuajse fare testin. Testi mund të jetë negativ dhe pacienti mund të jetë rëndë, testi mund të jetë pozitiv dhe pacienti nuk ka asgjë.
Kjo vonesë e analizës ndikon negativisht për hetimin epidemiologjik, duke i kthyer tamponët vetëm në instrument statistikor.

Alimehmeti: OBSH thotë se 10% ose më poshtë duhet të jetë përqindja e pozitivitetit, që do të thotë që ne duhet të kishim bërë dje 4210 teste.
Ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka nisur aplikimin e testeve të shpejta, Shqipëria është ende në fazë premtimi.
Testet e shpejta do të ndihmonin në shkëputjen e zinxhirit të infeksionit përmes izolimit të vatrave në kohë, pasi çdo qytetar mund ti kryejë me një kosto të ulët dhe me një përgjigje brenda 15 minutash.
Alimehmeti: Është tejet i lehtë për përdorim dhe do të jetë një ndryshues loje, përgjigjia është e shpejtë dhe mund ta bësh disa herë.
Shumë qytetarë ankohen se pas shfaqjes së simptomave ekipet e ISHP-së vonojnë me disa javë për të shkuar në banesë për kryerjen e tamponit ndërkohë që edhe përgjigja merr disa ditë kohë për shkak të prioriteteve të vendosura për radhën e analizave nga Komisioni Teknik i Ekspertëve.