Rindërtimi i banesave në Kombinat, Kërpaçi: Garanci juridike për banorët

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe kryetarja e LRI, Floida Kërpaçi ishin paraditen e sotme në Kombinat, ku u takuan me banorë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, banesat e të cilëve janë planifikuar për tu shembur.

Në një reagim të sajin në Facebook, ish-deputetja Kërpaçi shprehet se forca politike që ajo përfaqëson kërkon ndërtimin e shtëpive atje ku ishin.

Sipas saj, banorët dhe qeveria duhet të firmosin një kontratë, e cila garanton mbrojtje juridike për qytetarët.

“Kombinat, Tiranë/ Banorëve të Kombinatit t'u ndërtohen shtëpitë aty ku janë! Rruga më e mirë është të firmoset kontrata që garanton mbrojtjen juridike të këtyre banorëve, të cilët para 1 viti i tronditi tërmeti ndërsa tani gënjeshtrat e qeverisë. JEMI NË KRAHUN TUAJ!”, shkruan Kërpaçi në postimin e saj.