Biden flet si president: Çdo votë duhet numëruar. Askush nuk na vjedh dot demokracinë
Ish-zv.presidenti amerikan, Xho Bajden, vazhdon të prijë garën për zyrën më të lartë të shtetit.
Demokrati ka fituar mbi 70 milionë vota ose përkrahjen e mbi 50 për qind të zgjedhësve gjithsej, duke e bërë atë kandidatin më të votuar në historinë e vendit.
Në Kolegjin Zgjedhor beteja vazhdon e ashpër por demokratët po avancojnë ora-orës.
Pasi thelloi avantazhin në shtetet e Uiskonsinit dhe Miçiganit, Bajdeni kryeson me 264 nga 270 votat e nevojshme, duke i zbehur shanset e presidenti aktual, Donald Tramp, për një mandat të dytë, me 213 vota.
"Nuk jam këtu që të shpall fitoren, por t'ju raportoj se kur numërimi të ketë mbaruar, besojmë se fituesit do të jemi ne. Më pas, është koha të sillemi si amerikanë, të lëmë mënjanë retorikën e fushatës, të ulim tensionet, ta shohim njëri-tjetrin sërish në sy, të dëgjohemi, të respektohemi, të bashkohemi dhe të shëndoshemi bashkërisht si komb", ka thene Biden.
Ekipi elektoral i presidentit Trump thotë se ka nisur procese gjyqësore në shtetet kyç të Miçiganit dhe Pensilvanisë, për të ndaluar numërimin e fletëvotimeve të ardhura me vonesë me postë.
Republikanët pretendojnë edhe mungesë transparence sa i përket hapjes së fletëvotimeve dhe se vëzhguesit në disa raste janë mbajtur larg kutive të votimit.
Ekspertët zgjedhorë thonë se ka pak hapësirë për ta kthyer rezultatin me rinumërim të votave.
Demokrati Bajden aktualisht synon të marrë edhe shtetin e Nevadës ku ndahen 6 vota elektorale, ndërsa Trump shpreson te Pensilvania, Karolina e Veriut, Xhorxha dhe Alaska që ndajnë së bashku 54 vota elektorale, por as ato nuk i mjaftojnë për të arritur numrin e nevojshëm, 270.