Kosova me sytë nga Uashingtoni
Pavarësisht kush do të jetë fituesi i garës presidenciale në ShBA, analistët presin që Uashingtoni të vazhdojë të jetë partneri kryesor strategjik i Kosovës. Por Naim Rashiti dhe Afrim Hoti paralajmërojnë se në rast të një fitoreje të Trumpit, do të ndiqet një model ndryshe për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
Në prag zgjedhjeve presidencialeve të ShBA-së, analistët në Kosovë vlerësojnë se pavarësisht rezultatit, Uashingtoni do të vazhdojë të jetë partneri kryesor strategjik i Kosovës. Naim Rashiti, që drejton Grupin Ballkanik për hartimin e politikave, thotë se në rast të një fitoreje të mundshme të Trumpit, ai do të zbatojë një model ndryshe për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse presidenti Trump fiton, ai do të insistojë që marrëveshja finale të bëhet në mandatin e tij në formën e politikbërjes çfarë e bënë në të gjithë rajonin, dhe ndaras nga Bashkimi Evropian ndërsa nëse do të fitojë zoti Biden ai do të provojë që ta risjellë BE-në dhe një perëndim të bashkuar në Ballkan, të gjejë një zgjidhje për Ballkanin së bashku me BE-në por ende nuk jam i sigurt që do të jetë e mirë si politikë por nuk jam i sigurt qe BE është e gatshme t’i përgjigjet veprimeve dhe pritjeve të një administrate të tillë që kanë të bëjnë me integrimin e Ballkanit”, thotë Rashiti.
Pavarësisht fituesit të zgjedhjeve amerikane, ajo çfarë do të jetë e sigurt është se Ballkani Perëndimor do të ketë vëmendjen e presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara.
“Besoj që të dyja administratat do të provojnë t’i japin zgjidhje Ballkanit, do ta mbajnë vëmendjen në Ballkanin Perëndimor për shkak të zhvillimeve të mëdha globale... Aty ku nuk kemi dallime është përafrimi i Kosovës drejt NATO-s, besoj të dy administratave, dhe ndoshta një ruajtje më të fuqishme, ose një angazhim më të fuqishëm për ta ruajtur shtetësinë e Kosovës, ndërkombtarisht, këto dy tema besoj nuk dallojnë nga administrata mirëpo realiteti politik është që marrëdhëniet e cenuara transatlantike mes vendeve të BE-së dhe ShBA na kanë dëmtuar dhe kjo duhet të rikuperohet disi e nuk është vetëm për fajin e administratës Trump por vendeve të BE-së të cilat që 10 vite na mbajnë në dialog e nuk ofrojnë zgjidhje përfundimtare për procesin”, thotë Rashiti.
Edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti pret që ShBA-ja do të vazhdojë të jetë partneri kryesor strategjik i Kosovës.
“Nuk besoj që ndryshimet në politikën e jashtme amerikane do të kenë reperkusione për Kosovën, përkundër faktit që demokratët dhe republikanët në raste të caktuara dinë të ndjekin trende të ndryshme në politikën e jashtme. Praktika e deritashme ka treguar si njëra, ashtu edhe partia tjetër, ka qenë mbështetëse e fuqishme e shtetësisë dhe subjektivitetit juridik dhe politik ndërkombëtar të Kosovës dhe unë pres që është pas zgjedhjeve të nëntorit, kushdo që të jetë në pushtet në ShBA do të vazhdojë ta mbajë Uashingtonin si partnerin kryesor strategjik të Kosovës”, thotë Hoti.
Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë vlerësohet i pazëvendësueshëm, si për lirinë dhe pavarësinë e vendit, ashtu edhe për të ardhmen.