Pakti Kosovë-Serbi, njohjet e reja peng i marrëveshjes finale
Forcimi i sovranitetit shtetëror të Kosovës po mbetet peng i marrëveshjes finale me Serbinë. Opozita kosovare ndan shqetësimin se qeveria nuk ka një strategji të qartë në këtë pikë.
Prishtina dhe Beogradi kanë ndërprerë për 1 vit lobimet respektive pro dhe kundër njohjes së pavarësisë si edhe aplikimet e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Meliza Haradinaj-Stublla, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, u shpreh në Komisionin për Integrimin Europian se pala kosovare po punon t'i thellojë raportet diplomatike me shtetet njohëse pasi qëndrimi i tyre nuk duhet marrë si i mirëqenë.
Haradinaj-Stublla: Pandemia më ka lejuar që përmes mjeteve teknologjike me fol me së paku përmbi dy të tretat e shteteve njohëse i kam mbuluar. Gjeografikisht nëse shihet që së paku kemi bërë një telefonat ose takim virtual jemi siguruar që nuk do të tërhiqet njohja. Jemi në marrëdhënie të mira të sigurta të rregullta.
Izraeli është shteti i fundit që është zotuar se do ta njohë shtetin e Kosovës në bazë edhe të marrëveshjes Prishtinë-Beograd që dy palët arritën më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i trembet stanjacionit dhe kërkon përdorim të mekanizmave shtetërorë e ndërkombëtarë për lobimin për njohjet e reja.
Deliu-Kodra: Ajo që kemi parë gjatë këtyre viteve është se qeveritë e fundit nuk kanë pasur një perspektivë në kuptimin e fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës dhe njohjeve të reja.
Opozitarja e "Lëvizjes Vetëvendosje", deputetja Fitore Pacolli-Dalipi, e sheh me skepticizëm pezullimin njëvjeçar të lobimeve shtetërore.
Pacolli-Dalipi: Ky është vendimi më i paprecedent që mund të ketë marrë ndonjë shtet. Nuk ka asnjë shtet në botë që ia suspendon vetës sovranitetin dhe të drejtën për me u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.
Ndërkaq, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, thotë se njohjet janë të ndërlidhura me dialogun Kosovë-Serbi që do kërkojë ndërhyrje të faktorëve ndërkombëtarë.
Fetoshi: Procesi i njohjeve të reja ka kohë që është dëshmuar që është pengë në një mënyrë i procesit të dialogut me Serbinë. Ndonëse ende nuk e shoh të mundshme një epilog të suksesshëm të këtij procesi.”
Nga 193 vendet e OKB-së, më pak se 100 prej tyre e pranojnë aktualisht shtetin e ri të Kosovës; kundër janë edhe 5 shtete të Bashkimit Europian dhe 4 anëtarë të NATO-s.