"Jozefina Topalli menopauzë politike" Ilir Demalia: Mund t’i jepet ndonjë propozim për presidente
Publicisti Ilir Demalia nga SHBA-ja në një lidhje me skype dha dhe mendimin e tij për partitë e reja politike të krijuara në Shqipëri për zgjedhjet e 25 prillit.
Është skeptik për nga natyra, por dhe duke argumentuar atë që ka ndodhur gjatë këtyre viteve kur partitë e vogla nuk kanë marrë asgjë por vetëm ndonjë post. “Madje thotë se Jozefinës mund t’i jepet ndonjë propozim për presidente, dhe Rama i bën këto. Hajdarit mund ti jepet një premtim për ambasadore diku. Murrizit një premtim tjetër.”
Pjesë nga intervista
Si i shihni subjektet e reja politike në këto zgjedhje?
Ilir Demalia: Shikoni personat që dalin në krye të këtyre partive. C’të thotë Jozefina Topalli? Jozefina Topalli na vjen me një gjuhë të re e botoksuar por ajo është një menopauzë politike. Topalli ka qëndruar 20 vite në politikë dhe partia e saj është ajo që ka përgjegjësi dhe për këtë gjëndjen politike sot.
Për autoritarizmin e Berishës dhe korrupsionin në kohën e administratës së Berishës. Flet për Lulzim Bashën por asnjë fjalë për Berishën.
Gjuha që ka përdorur Topalli ka qenë gjuhë e tmerrshme kur ajo ishte kryetare e parlamentit. Të mos flitet për korrupsionin e saj dhe vajzën që e çoi ambasadore. Përse duhet ti besoj Topallit, apo Murrizit, apo Rudina Hajdarit?
Vetë Rudina Hajdari hyri në politikë duke u marrë për dore pa asnjë kontribut dhe hyri e treta në Tiranë kur e ëma njihet për korrupsionin galopant dhe manipulimin e figurës së të atit. Një njeri që ka ndërgjegje me veten duhet të flasë. Ajo çka shqiptarët vuajnë prej politikës është se nuk kanë arritur dot të ngrenë një raport me të vërtetën dhe realitetin. Të gjithë gënjejnë për të manipuluar duke ndihmuar ato që janë në krye që të manipulojmë dhe ne për të ardhur diku afër tek tava apo të luajmë timonin.
Pse duhet ti vëmë në dyshim këto parti të vogla të reja, kur partitë e tjera kanë kryetarë të përjetshëm?
Ilir Demalia: Kryetar ke dhe Spartak Ngjelën që ka një zyrë e një sekretare.
Erion Veliaj e Jozefina Topalli janë antipodë të njëri tjetrit. Erion Velian në emër të modernizmit do të shkatërrojë kullën e Tiranës. Topallit në emër të antikomunizmit do të shkatërronte piramidën. Këta janë vetëm shkatërrimtarë. Janë dy anë të një medalje.
Cila parti ka arritur të bëjë diçka?
Nuk ka të keqe pse bëhen aleanca, por nuk bëhen për hir të Shqipërisë por për hir të tavës. A mund të ndryshohet kjo gjëndje me përmbysje? Jo sepse ke një shoqëri civile apatike.
Këto parti nuk do të marrin asgjë, por ndonjë post. Jozefinës mund t’i jepet ndonjë propozim për presidente, dhe Rama i bën këto. Hajdarit mund ti jepet një premtim për ambasadore diku. Murrizit një premtim tjetër.
Kaq e kanë kërkesën këto, se në ndërgjegjen e vet ata e dinë se nuk i grumbullojnë dot asnjë mikrobuz me anëtarë.
Është e vështirë të krijosh parti, sepse parti duhet të kenë financa, karizmë, moral. Pse duhet ti besoj këta, kur kanë qenë në politikë dhe janë bërë pjesë e së keqes dhe e kanë thelluar. Eksperienca ka treguar se këto parti kanë treguar se nuk kanë sukses.
Partia e Bamir Topit, Dash Shehit. e Ngjelës ku janë? Të gjithë futen sërish tek menderja e PD-së ose e PS-së.