Mësimi online në universitete, Vokshi citon ligjin: Nuk i njeh studimet në distancë

Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi reagon pas vendimit për mbyllur universitetet dhe për të vijuar me mësim online.

Teksa citon Ligjin për Arsimin e Lartë, Vokshi shprehet se mësimi online në universitete është në shkelje të tij.

Albana Vokshi: Një shkresë me firmën e një drejtori në Ministrinë e Arsimit ka vendosur për të ardhmen e studentëve dhe universitet online në shkelje të çdo ligji.

Ligji i Arsimit të Lartë, në nenin 59 përcakton:

Format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë janë:

a) Studime me kohë të plotë

b) Studime me kohë të zgjatur

Pra, Ligji nuk i njeh studimet në distancë (online).

Studentët kanë qenë më të diskriminuarit gjatë periudhës së pandemisë. Pjesa më e madhe e tyre nuk patën asnjë mundësi të ndiqnin studimet online, nuk patën asnjë mbështetje për punësim, asnjë paketë ndihme.

Sa antihumane duhet të jetë një qeveri që vetëm 3 ditë para fillimit të vitit akademik t’i mbyllë universitetet? Sa është kosto për çdo familje studenti? Sa studentë nuk do mund të ndjekin dot studimet pasi nuk kanë asnjë mundësi në shtëpitë e tyre??

Është më keq se në diktaturë.

Por historia ka treguar që diktaturave fundi u vjen nga të rinjtë.

Kujtojmë se, ditën e nesërme, ora 10:00, studentët do të organizojnë një protestë para Ministrisë së Arsimit kundër vendimeve të fundit të Këshillit Teknik të Ekspertëve.