Të riatdhesuarit në karantinë/SPAK pritet të marrë në pyetje Floresha Rashën, në nëntor tjetër operacion shpëtimi
Karantinimi për shkak të situatës së krijuar nga pandemia siç duket ka shtyrë marrjen në pyetje të Floresha Rashës, gruas së riatdhesuar pak ditë më parë nga kampi Al-Hol për të mësuar mbi financimin apo personat që e kanë ndihmuar për tu larguar drejt Sirisë. Ndërkohë në muajin nëntor pritet të rikthehet një tjetër grup fëmijësh mes të cilëve dhe Eva Dumani, motra e Endi dumanit, 12-vjeçarit të riatdhesuar tashmë.
Floresha Rasha dhe 4 fëmijët e riatdhesuar pak ditë më parë nga kampi Al-Hol i janë nënshtruar të gjitha protokolleve të pandemisë dhe ndodhen në karantinë për shkak se kanë mbërritur nga jashtë vendit.
5 personat e parë të kthyer nga zonat e konfliktit i janë nënshtruar gjitha ekzaminimeve mjekësore dhe kryerjes së tamponit për të mësuar më shumë lidhur me gjendjen shëndetësore. Po ashtu të ardhurit po i nënshtrohen programit të rehabilitimit.
Kryerja e këtyre procedurave ka bërë që prokuroria të shtyjë për një tjetër moment marrjen në pyetje të gruas për të mësuar të dhëna lidhur me udhëtimin që ajo, bashkëshorti i saj Diamant Rasha dhe dy fëmijët kanë ndjekur për në Siri.
SPAK kërkon të identifikojë rekrutuesit, financuesit dhe kontaktet që kanë pasur për të kaluar nga Shqipëria, në Turqi, me destinacion final Sirinë.
Ndërkohë muaji nëntor pritet të sjellë finalizimin e një tjetër operacioni për shpëtimin e fëmijëve të tjerë që ndodhen në zonat e konfliktit në Siri. Mes të riatdhesuarve pritet të jetë dhe Eva Dumani, e cila është gjetur nga autoritetet e kampit Rozh në Siri.
Aktualisht mësohet se ajo ndodhet në shoqërinë e një familjeje shqiptare, ndaj pritet të riatdhesohet së bashku me një tjetër grup fëmijësh. Faza e dytë e operacionit është konfirmuar dhe nga drejtori i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, të cilët presin përfundimin e procedurave për një tjetër udhëtim drejt Sirisë.
Në kampin Roj ndodhen disa fëmijë dhe gra të larguara nga kampi Al-Hol, por autoritetet nuk kanë pranuar të rikthejnë gratë.
Ato do ti nënshtrohen hetimit nga strukturat e kampi për të vërtetuar nëse kanë qenë pjesë e ISIS apo të jenë përfshirë në krime të tjera.