SOS për 2 vjeçarin e paralizuar, nëna mes lotësh kërkon ndihmë për ta dërguar jashtë
Parid Marku vetëm 2 vjeç e gjysëm e prej më shumë se dy javësh ka mbetur i paralizuar pasi një masë tumoriale i ka kapur një nerv të këmbës.
Mes lotësh, nëna e tij Albana tregon për sëmundjen e të birit.
"Më është paralizuar djali te të dy këmbët dhe ka nevojë për një operacion në shtyllë kurrizore që nuk bëhet këtu në Shqipëri. Gjendja është shumë e përkeqësuar, nuk po ha, nuk rri. Ka dhimbje, me qetësues njëherë në 6 orë."
Thotë se tentoi të shkonte drejt Greqisë, por pa rezultat.
"Ishim mbrëmë në aeroport, bëmë dhe tamponin, morën konfirmimin nga ana greke, kemi prerë dhe biletën. Na kanë kthyer. Duhet bërë procedurat te Ministria e Shëndetësisë".
Nëna e të voglit kërkon ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë, që ti kushtojë vëmendje rastit pasi gjendja e djalit sa vjen dhe përkeqësohet.
"Kërkoj vetëm lehtësim procedurash që të shkoj urgjent. I bëj thirrje Ministrisë së Shëndetësisë, Kryeministrit, kujto që të më ndihmojë. Kam hyrë borxh, do të shes shtëpinë dhe gjithçka vetëm për fëmijën."