Ruli përsërit thirrjen ndaj Berishës: Jo domosdoshmërisht i duhet një xhaketë politikani për të dhënë influencë
Anëtari i Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve në Partinë Demokratike, Genc Ruli në një intervistë me gazetarin Alfred Lela në “Politik-On” në RTV Ora komentoi raportin e tij me ish-kryeministrin dhe liderin historik të PD-së Sali Berishën dhe mospajtimin që ka patur kohët e fundit me të, pas deklaratës se Berisha duhet të tërhiqet nga politika aktive.
Ruli tha se raporti i tij me Berishën ka qenë interesant që nga fundi i viteve ’90, por Nuk ka kaluar gjithmonë në një përqafim rozë për shkak të pozicioneve kundërshtuese që kanë patur.
Ai përsëriti edhe njëher thirrjen ndaj Berishës se jo domosdoshmërisht i duhet një xhaketë politikani që të japë influencën e tij.
Ruli: Raporti im me Berishën është interesant që nga fundi i viteve ’90 që themeluam PD-në dhe deri më sot. Nuk ka kaluar gjithmonë në një përqafim rozë, kemi qenë njerëz në pozicione mjaft kundërshtuese, ndoshta dhe agresive me njëri-tjetrin. Por, dua të them që unë në zgjedhjet, vendimet, qëndrimet, deklarimet e mia politike, ndjesitë dhe emocionet personale të fyerjes të nxehjes që njeriu i ka dhe i ka me të drejtë, nuk i kthejmë në qëndrime politike. Qëndrimet politike vijnë në momentin kur të është qetësuar dhe urtësuar mendja.
Kur i përmenda në mënyrë figurative që ka lavdi sa për dy jetë dhe i thoja që është një figurë që rrezaton nga ai pozicion që është, nuk është gjithmonë e nevojshme që të veshi uniformën e politikanit. Ai ngelet gjithmonë njeriu, që sidomos e djathta tradicionale tek PD-ja ka një influencë të madhe dhe atë influencë e jep në çdo mënyrë tjetër duke dalë në televizor, duke dhënë deklarime, etj, jo domosdoshmërisht i duhet një xhaketë politikani, që sot e vesh edhe një politikan i ri.
Ka arritur në atë pozicion që e ka të qartë që ta bëjë të lexueshme për një shumicë atje poshtë se çfarë do ai, çfarë kërkon nga ky elektorat dhe çfarë misioni do t’iu ushtrojë ky elektorat.