"Referendumi, arma e popullit", Presidenti: Kushtetuta nuk mund të ndryshohet nga një parlament monopartiak

Vetëm vendimmarrja e popullit me anë të referendumit, sipas Presidentit Ilir Meta mund të vendosë sundimin e ligjit në vend.

Në mbështetje të nismës për referendum nga shoqëria civile, Kreu i Shtetit e shikon të domosdoshme një ndërhyrje të tillë, pasi sipas tij institucionet po shkojnë drejt antikushtetutshmërisë.

"Vetëm sundimi i popullit përmes referendumit do të garantojë sundimin e ligjit. Prej 20 muajsh ne kemi një Parlament monopartiak. 41 ligje ka kthyer presidenti në Kuvend për rishqyrtim. Kur sot të gjithë jemi të vetëdijshëm për një shtim të numrit të ligjeve me nivel të rëndë antikushtetuetshmërie, klienteliste", ka thënë Presidenti Meta.

Duke marrë shkas nga ndryshimet e fundit në kushtetutë të bëra nga parlamenti, Meta kërkon që të bëhen ndërhyrje që kjo të mos ndodhë më.

"Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk mund të ndryshohet kurrësesi as nga 140 deputetë të ligjshëm, por çdo ndryshim do të bëhet në referendum", shton Kreu i Shtetit.

Rrëzimi i dekretit të Presidentit për ndryshimet në kodin zgjedhor dhe mosreflektimi i kryeministrit Rama nga  thirrjet e BE, sipas Ilir Metës do të frenojë integrimin e Shqipërisë.

"97 copë deputetë refuzuan apelin e BE dhe votuan për bllokimin e çeljeve të negociatave jo deri më 25 prill, por deri në zgjedhjet e tjera pas."

Largimi i shqiptarëve drejt vendeve të zhvilluar po shpopullojnë Shqipërinë dhe po bëhen një precedent negativ në BE.

"Jemi kampionë në Ballkanin perëndimor përsa i takon azilkërkimit. Kemi 60% të atyre që kërkojnë azil nga vendet e Ballkanit perëndimor në BE të paktën në 2 vitet e fundit", ka thënë Meta.

Në një prononcim të shkurtër për gazetarët, Presidenti ftoj shqiptarët që me 25 prill të dalin masivisht në votime.

"Jam i sigurt që të gjithë shqiptarët do të marrin pjesë në referendumin e 25 prillit dhe të gjithë do të votojnë për Shqipërinë në Europë."