Inceneratorët/ Rama ironizon Bashën: Po japim para për një mafie imagjinare

“Tërmeti dhe pandemia një e keqe që solli një të mirë për disa zona ku kishte kohë ku nuk vihej dorë”.

Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama duke deklaruar se Tirana dhe Durrësi  do të jenë vende më të mira se sa ishin para tragjedisë.

Edi Rama: “Unë e kam besuar dhe besoj çdo ditë e më shumë që çdo krizë është një mundësi e madhe. Nëse populli thotë të këqijat nuk vijnë vetëm për keq, atëherë kjo ishte një e keqe shumë e madhe në radhë të parë për ato familje që humbën të afërmit e tyre. Por e mira në këtë të keqe është që së bashku ne po ngrihemi më lart se sa ishim përpara se të ndodhte kjo tragjedi. Tirana dhe Durrësi pas rindërtimit do të jenë vende më të mira se para tragjedisë. Kjo zonë këtu ndoshta ishte në plan për t’u ngritur lart pas 10 ose 20 vitesh. Ne e prekim këtë zonë sot me ambicien që në këtë rrënoja të shumë dekadave të ndërtojmë në pak vite një qendër të re të Tiranës".

Ndërkohë që nuk kurseu edhe “ngacmimet” për Lulzim Bashën dhe akuzat e tij për inceneratorët.

Edi Rama: "Një tragjedi më vetë kjo verbëri e atyre që nuk i kemi përballë, por i kemi mbrapa dhe kërkojnë që të na tërheqin mbrapsht që mishërohen në gjestet e Kryemadhit që bën thirrjen për të shkuar në Kisha e xhami dhe për të mos besuar te virusi dhe nga ana tjetër kryetari i opozitës së çdo ditë është i fiksuar që ne nuk duhet të paguajmë për të përpunuar mbetjet e Tiranës, por duhet ta lëmë që të mbytet nga plehrat dhe në mënyrë hileqare, ju thotë shqiptarëve se ne po japim para nga buxheti për një mafie imagjinare të inceneratorëve. Të mbetemi në të njëjtën gropë ku ai dhe partia janë, një herë në fund të gropës me piramidtat dhe  një në buzë të gropës me qeverisjen e tij që e mbylli".