PS rivoton Kodin të enjten, Balla: Opinioni i Venecias do të adresohet ndoshta pas 25 prillit
Mazhoranca të enjten do të rivotojë Kodin Zgjedhor duke rrëzuar dekretin e Presidentit Ilir Meta.
Për kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, tregon, që votimi në seancë plenare i jep mundësi parlamentit për të adresuar rekomandimet e Komisionit të Venecia në dhjetor.
Balla: Ligji zgjedhor duhet të kishte hyrë në fuqi, në rast se ne votonim dekretin e presidentit pro, atëherë bëhej pothuajse e pamundur që ne të adresonim qoftë edhe opinionin e Venecias. Nëse Ilir Meta do të kishte qenë këtu në Kuvendin e Shqipërisë do të na kishte dhënë të drejtë për procedurën që ne po ndjekim.
Ndryshe nga kryetari i tij, Taulant Balla e lë evazive mundësinë që adresimi i opnionit të Venecias të bëhet edhe në muajin dhjetor.
Balla: Sapo Venecia të ketë marrë një vendim dhe të ketë miratuar një opinion të mund të adresohen opinionet e Venecias qoftë edhe përtej 25 prillit.
Socialistët kanë një paralajmërim edhe për personat që mund të tentojnë të prishin procesin zgjedhor të 25 prillit.
Balla: Kush ka ndërmend të vërë pengesa për organizimin e tyre në kohë mendoj se njëherë e ka marrë përgjigjen, nuk ka nevojë ta përsëris.
Komisioni i Venecias ka refuzuar të japë një opinion urgjent për kërkesën e presidentit Ilir Meta, por në seancën e 11-12 janarit do të miratohet ekspertiza ndërkombëtare për vendin tonë.