Situata jashtë kontrollit, Vasili-Ramës: Nuk trajton pandeminë, por 'trajton' oligarkët me para
"Vendi ynë ka hyrë në një situatë të re shumë më të paparashikuar dhe sigurisht në mënyrë kaotike dhe tërësisht jashtë kontrollit".
Kështu e nisi konferencën e sotme për shtyp nënkryetari i LSI, Petrit Vasili.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama humbi kohën për 8 muaj, ndërsa e akuzoi se po e përdor pandeminë për qëllime politike.
"Në mënyrë të drejtpërdrejt po i drejtohem kryeministrit, koha e spërdredhjeve ka mbaruar prej kohësh. Ke 8 muaj që humb kohën me budallallëqe videosh dhe me turilloj soj improvizimesh anti-shkencore, anti- epideologjike që kursen paratë për të trajtuar pandeminë dhe trajton me para gjithfarë soj tenderë sekret oligarkësh etj", u shpreh Vasili.
Duke kërkuar solidaritet mes qytetarëve, Vasili foli edhe per përdorimin e maskave, por si masa e fundit.
“Përdorini dhe maskat si një masë suplementare por pa testim, gjurmim, trajtim, diferencim të rasteve, dezinfektim, distancim fizik etj, maskat nuk janë asnjë vlerë. Janë vetëm propagandë e një njeriu që lumturohet tu vërë mijëra gjoba qytetarëve në vend që tu japë zgjidhje. Mos dëgjoni, abandononi, përbuzni fjalët e këtij sharlatani që ka hallin e karrikes së tij dhe jo pandemisë”.