Burri ju vra në Siri në 2014, kush është gruaja në karrocë që u nxor nga kampi i Al-Hol së bashku me 3 fëmijët

Me 5 shqiptarëve të nxjerrë nga kampi Al-Hol i Sirisë,  4 ishin anëtarë të familjes Rasha, përkatësisht gruaja Floresha Rasha me tre fëmijët e saj.

Siç edhe u pa nga pamjet e publikuara nga Gjysmë Hëna e Kuqe Siriane, ajo ndodhet në karrocë me rrota dhe nuk dihet në ç’rrethana ka përfunduar kështu.

Floresha është e veja e Diamant Rashës nga fshati Sllovë i Dibrës, i cili u ekzekutua nga snajperat e ushtrisë së Asadit në 2014.

Në Shqipëri ai punonte si shpërndarës picash, por kur shkoi në Siri, u njoh me emrin “Ebu Amar”.

Diamanti kishte frekuentuar xhaminë tek Unaza e Re në Tiranë ku ishte imam Genci Balla. Ai shkoi të luftonte për ISIS më 16 janar 2013 dhe me vete mori edhe familjen.

Ai u nis nga Tirana për në Stamboll dhe më pas përfundoi si ushtar i Shtetit Islamik. Në vitin 2014 ai u ekzekutua me snajper duke lënë rrugëve gruan me 3 fëmijë.

Pas kësaj ngjarjeje, Floresha Rasha kërkoi të kthehej në Shqipëri, po xhihadistët e bllokuan bashkë me fëmijët.

Në vitin 2015, Shaban Rasha, babai i viktimës dëshmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin gjyqësor në ngarkim të imamëve dhe besimtarëve të akuzuar për rekrutim të personave për vepra terroriste. Shabani u shpreh krenar për djalin e tij dhe faktin se kishte rënë në luftë.