Ristani: Qëndrimi i Ramës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, arrogant dhe i njëanshëm
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për listat apo jo të hapura të kandidatëve në këto zgjedhje, vazhdon të shkaktojë debat.
Ditën e sotme Preisdenti Ilir Meta është shprehur se këto ndryshime do t’i dërgohen për vlerësim Komisionit të Venecias. Por një deklaratë e tillë ka gjetur kundërshtim nga kryeministri Rama, i cili ka thënë se të enjten ligji do të kalohet për votim në parlament.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani, në studion e RTV Ora, përballë gazetares Beti Njuma, tha se ky qëndrim i Ramës nuk është asgjë tjetër, përveçse qëllim për të favorizuar veten dhe partinë e tij. Ristani insiston në bashkëpunim të palëve, për shkak edhe të situatës në të cilën ndodhet vendi.
Ristani: Rama në të gjithë trajektoren e tij për këtë çështje, jo vetëm që nuk është treguar bashkëpunues, por i fokusuar tek qëllimi i tij për t’i dhënë favore vetes dhe partisë që përfaqëson në raport me kundërshtarin politik. Për të siguruar epërsi në tavolinë dhe jo një garë të ndershme e të barabartë. Në përgjithësi reformat zgjedhore në Shqipëri kanë një kohë të gjatë që po bëhen dhe kanë treguar se si janë bërë në të kaluarën.
Gjithmonë janë bërë me konsensus. Dhe për më tepër kushtet që po kalojmë, marrëveshja midis palëve do të ishte shumë e mirëpritur, për shkak të kushtit që europa ka vënë në raport me reformën zgjedhore edhe në raport me mundësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
A mund të ndryshohet Kodi Zgjedhor 6 muaj para zgjedhjeve, në mënyrë të njënashme?
Kjo nuk është e shkruar në Kushtetutën e RSH faktikisht, por është në kodin e praktikave të mira të OSBE/ODIHR, dhe është një praktikë që është ndjekur edhe më parë nga forcat politike shqiptare. Sidomos kur ti do të ndryshosh rrënjësisht rregullat e lojës. Nuk bëhet fjalë për ndryshime të cilat bëhen në funksion të standarteve që kërkohen apo në funskion të rekomandimeve të OSBE-së apo ODIHR, por janë ndryshim tërësisht i rregullave të lojës, siç është ndryshimi i sistemit.