Gratë naftëtare 12 ditë grevë urie, rëndohet shëndeti i tyre, njëra zëvendësohet
Rëndohet gjendja shëndetësore e naftëtareve teksa kanë hyrë sot në ditën e 12 të grevës së urisë.
Një prej grave greviste është zëvendësuar për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, ndërsa të tjerat shprehen të vendosura ti shkojnë deri në fund grevës së urisë.
Në ditën e 12 të rezistencës, ato kërkojnë si kusht të panegociueshëm që kreu i qeverisë të vijë vetë në Ballsh.
“Nuk duam asgjë tjetër, duam gjakun tonë. Populli është uragan e duhet të reagojmë të gjithë. Presim që kryeministri të reagojë. Nuk dallim nga greva pa marrë zgjidhje”, shprehet një prej naftëtareve.
Kurse, një tjetër naftëtare deklaroi se kryeministri Edi Rama duhet të reagojë dhe t’i japë zgjidhje situatës së krijuar.
“Edi Rama të reagojë dhe t’i jepet zgjidhje situatës. Nuk dalim nga greva pa marrë atë që na takon. Kryeministri është mashtrues”, deklaroi naftëtarja.
Gratë janë të vendosura për të vijuar grevën deri në fund, pasi gjendja e tyre ekonomike është e rëndë.
Edhe pse kishin parashikuar që greva të vijonte nga fëmijët e tyre, gra e burra naftëtare kanë vendosur të mos i saKrifikojnë, kjo edhe për shkak të koronavirusit.
"Nuk mund të rrezikojmë fëmijët për qejfin e Edi Ramës" tha një naftëtare
Situata mbetet ende pa zgjidhje, edhe pse pak ditë më parë, kryeministri tha se me ndihmën e zotit shumë shpejt do të gjendej një zgjidhje.
Sipas asaj që raporton gazetarja e Ora News, Inelda Vallja, një numër i lartë naftëtarësh vazhdojnë të qëndrojnë të ambientet e jashtme të qëndrës shëndetësore në mbështetje të grave.
Kjo është greva e dytë e urisë që naftëtarët bëjnë për të marrë pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës në uzinë.