Inceneratorët/ Ora News sjell detaje, çfarë po ndodh me hetimet

Prokuroria e Posaçme, SPAK ka nisur verifikimin për tre kallëzimet penale të opozitës në lidhje me temën e inceneratorëve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit.

Gazetarja e Ora News, Keti Banushi ka bërë me dije se tre kallëzimet që janë bërë për 3 ditë rresht nga Partia Demokratike në lidhje me inceneratorët, pritet ti bashkohet kallëzimit të parë nga "Nisma Thurje" për të njëjtin projekt, ndërkohë që është caktuar prokuror i çështjes Dritan Preçi.

Prokurori Preçi do të vendosë nëse do t'i bashkojë këto kallëzime apo do t'i hetojë më vete.

SPAK ka nisur hetimet që pas kallëzimit që ka bërë "Nisma Thurje" në muajin korrik, pasi është regjistruar si procedim penal. Verifikimi dhe mbledhja e të gjithë informacioneve të nevojshme ka nisur që nga kontrata që është hartuar për inceneratorët.

Sakaq pritet të nisë edhe marrja në pyetje e personave, duke qenë se është një procedurë që pritet të zgjasë derisa Prokuroria të dalë me një vendim nëse kemi elementë të veprës penale apo jo.

Marrja në pyetje pritet të nisë nga personat që kanë bërë kallëzim penal, nga "Nisma Thurje", por edhe nga deputetët e opozitës, që për tre ditë me radhë kanë ardhur në ambientet e SPAK dhe kanë dorëzuar dorazi gjithë dokumentacionet bashkangjitur edhe kallëzimet që kanë bërë.

Lexo dhe: Basha zbulon detajin tronditës të inceneratorëve: Faleminderit Mërtirit që na keni vjedhur kaq pak!


Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK padinë ndaj kryeministrit Edi Rama, ish ministrit të Financave Arben Ahmetaj dhe ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, ndaj Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.

Kallëzimi është për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë të pjesëmarrësve në tendera dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe të ushtrimit të detyrës publike.