Gratë naftëtare i përgjigjen Ramës: Nëse nuk marrim pagat, harroje të dalim nga greva e urisë
Naftëtarët kanë reaguar menjëherë pas thirrjes së kryeministrit Rama për të lënë grevën dhe për t'u ulur në diskutime.
Grevistet refuzojnë të dalin nga greva pa një zgjidhje "E vdekur dal që këtej. Po nuk morëm pagat e prapambetura, ta harrojë që dalim nga greva".
"Duam pagat e prapambetura të fituara me gjyq. Ne jemi gati të diskutojmë me kryeministrin pa ndaluar grevën. E nisa këtë mision dhe do ta çoj", vijon njëra prej grevisteve.
"Ne nuk duam bisedime, ne duam lekët", thotë një tjetër.
Gjithashtu në një prononcim për mediat, një protestues jashtë ambienteve të grevës ka thënë se kanë ardhur në Tiranë për të takuar kryeministrin dhe ministren Balluku, por nuk kanë marrë përgjigje.
"Ne nuk kemi bërë asnjë presion karshi qeverisë dhe nuk kemi kërkuar asnjë të pamundur që ai nuk mund ta zgjidhë. Kemi kërkuar një vendim gjyqi të formës së prerë që na jep të drejtën për pagat tona. Për të dalë nga greva për diskutim siç thotë kryeministri, takimi është te naftëtaret, te nënat dhe motrat tona që janë në grevë urie. Ne kemi shkuar në Tiranë te kryeministri dhe ministja Balluku dhe nuk kemi marrë përgjigje, nuk na është dhënë mundësi për këtë takim. Ne sot në emrin tuaj si naftëtarë dhe në emrin e atyre motrave që po dergjen atje, i themi kryeministrit dhe belinës tij, Ballukut që takimi me naftëtarët është në këtë shesh dhe në atë dhomë. Ta vijë të na sqarojë dhe të na japë të drejtën tonë.
Sa për shkopin magjik ai e di shumë mirë se si zgjidhen këto me një mbledhje qeverie, me një ligj të posatçëm për naftëtarët. Thirrja jonë është zgjidhja është këtu në Ballsh", thotë naftëtari.
Më herët kryeministri Edi Rama me një postim në Twitter u bëri thirrje naftëtarëve të tërhiqen nga greva, teksa shtoi se qeveria nuk ka shkop magjik për të zgjidhur menjëherë këtë çështje.
Dita e sotme shënon ditën e 24 të grevës. Në ditën e 18 të saj, burrat naftëtarë u zëvendësuan nga gratë kolege. Naftëtarët e Ballshit kërkojnë me ngulm rrogat e pa marra nga kompania që drejtonte rafinerinë.
LEXO EDHE: Rama i shkruan nga Twitteri grave naftëtare: Faji nuk është i qeverisë, s’kemi shkop magjik