Inceneratorët, Basha padit Veliajn: Të hënën dorëzohet në Prokurori
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka treguar se të hënën do të dorëzohet padia penale ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj për inceneratorët.
Basha ka thënë se Veliaj po i trajton plehrat me një çmim më të shtrenjtë nga studimi që është bërë për këtë çështje nga Banka Botërore.
Basha: "Për të tre gënjeshtrat e vemjes që bëhen për të tërhequr vëmendjen nga afera ku është kapur ai dhe shefi i tij, është dorëzuar padi penale në Prokurori. Si për gënjeshtrën për vilat, për makinën është dorëzuar padia dhe dua t’ju informoj që të hënën dorëzohet padia për shpifjen dhe gënjeshtrën që ka bërë për inceneratorët."
Pas zgjedhjeve parlamentare, kryetari i PD tha se organet vendase të drejtësisë dhe struktura të specializuara do të gjurmojnë edhe jashtë vendit paratë e përfituara nga aferat korruptive në Shqipëri.
Lulzim Basha: "Ato para do të gjinden. Si ato që ka future në xhep mafia dhe ato që kanë futur të dy. Ka agjenci që do I gjurmojnë në çdo veprimtari korruptive të kullave të Tiranës ku janë derdhur paratë e korrupsionit të Edi Ramës dhe Erion Veliajt."
Në daljen për medien nga selia e PD, kreu i opozitës tha se kryebashkiaku i Tiranës dhe kryeministri hodhën në kosh projektin e Bankës Botërore për të zgjedhur kompani të dyshimta me kosto më të lartë
Lulzim Basha: "Studimi i Bankës Botërore dhe Bashkisë së Tiranës bënte të mundur që konteinerët brenda një viti të futeshin nën tokë brenda Unazës së Vogël.
Brenda 3 vitesh të futeshin nëntokë në të gjithë Tiranën dhe trajtimi i tyre në Sharrë të bëhej për 12 euro, nga 29 euro që e bën ky hajduti bashkë me të tjerët. Këto janë fakte që kam bindjen që në mos sot nesër, Prokuroria do t’i marrë në shqyrtim, për të treguar se çfarë çmimesh kishte përgatitur Banka Botërore, një proces transparent për përpunimin në Sharrë dhe me çfarë çmimesh po i bën mafia e Edi Ramës, Arben Ahmetajt dhe Erion Veliajt.
Nuk kanë për t'i shpëtuar. Sot kanë kapur disa media dhe përditë nxjerrin fytyrën e gënjeshtrës në ekran.
Nuk mjafton kjo. Shumë shpejt do të përballen në Prokurori dhe Gjykatë me faktet që janë të patjetërsueshme."
Basha vuri në dukje se përveç problemeve me procedurat e ndjekura, pronarët e kompanive të inceneratorëve që po marrin miliona euro nga buxheti i shtetit kanë edhe precedentë dhe lidhje kriminale.
Sipas bashës, skandali i inceneratorëve po mbulohet duke përdorur miliona euro të marra nga paratë e shqiptarëve për propagandë me qëllim mashtrimin e qytetarëve.