“Ora e përballjes po afron”, Presidenti Meta ashpërson tonet: Shkelje brutale e marrëveshjes së 5 qershorit!

Presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj qeverisë aktuale, teksa ka publikuar të dhënat alarmuese të raporteve në lidhje me ekonominë e Shqipërisë.

Meta ka shkruar se “Dita Ndërkombëtare për Çrrënjosjen e Varfërisë, e gjen Shqipërinë në një gjendje tepër të rëndë ekonomike, sipas raporteve të organizatave të huaja prestigjoze”.

Kreu i Shtetit ka vijuar me tone të ashpra duke thënë se duhet parandaluar katastrofa ekonomike në kushtet e pandemisë, teksa thekson se është shkelur brutalisht marrëveshja e 5 qershorit. Ai ka bërë thirrje shqiptarëve për të marrë në dorë sovranitetin me mesazhin “ora e përballjes po afron.

“Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, dhe në kushtet e pandemisë, situata pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe ekonomike kombëtare, që duhet parandaluar në kohë.

Varfëria është dhunim flagrant i të drejtave të njeriut, ndaj lufta për çrrënjosjen e këtij fenomeni në radhë të parë është luftë për të garantuar dinjitetin e çdo qytetari dhe drejtësinë sociale, aq të domosdoshme, që meriton një shoqëri si e jona, për t’u zhvilluar sipas standardeve europiane”, shkruan Meta.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/270442037525334