Vrasja e Niko Goros në Himarë, me pranga në duar, momenti kur u ndalua autori
51-vjeçari, Niko Goro, biznesmen dhe ndërtues i njohur në qytetin e Himarës, u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mëngjesin e kësaj të shtune në qendër të qytetit bregdetar.
Autori i krimit u arrestua 60 minuta më pas, ndërsa në dëshminë e tij në komisariatin e Himarës ka deklaruar se motivi që e ka çuar drejt kryerjes së krimit ka qenë një borxh i pashlyer për motive pronësie.
Kjo foto tregon momentin kur 53-vjeçari, Kliti Leka, u vu në pranga si autori i dyshuar i ekzekutimit të biznesmenit himariot.
Ai u identifikua shpejt mbi bazë të pamjeve të kamerave të sigurisë, edhe pse në kokë mbante kapele dhe në fytyrë një maskë anti-Covid.
53-vjeçari u kap disa kilometra nga vendngjarja në zonën e Livadhit duke larguar me këtë makinë.
Aty policia gjeti edhe dy armë, një automatik kallashnikov dhe një pistoletë.
Në dëshminë e parë para policisë, Kliti Leka, ka pranuar se është ai ekzekutori i biznesmenit Niko Goro.
Si motiv ka dhënë një konflikt për një tokë të trashëguar që pretendon se e ka dhënë për ndërtimin e një pallati, por nuk ka marrë përfitimin për të cilin thotë se kishin rënë dakord.
"I kam dhënë tokën por nuk më ka dhënë lekët, po ndërton në tokën time."
Biznesmeni 51-vjeçar, Niko Goro, u ekzektua në orën 08:55 minuta sipas policisë lokale.
Ai ndodhej në marketin në proësi të së motrës, kur është thirrur nga autori.
Dy burrat, sipas burimeve, kanë debatuar me tone të larta, pas të cilit Kliti Lera ka shkuar në makinë, ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj ndërtuesit.
Të paktën 5 plumba raportohet se ka marrë në trup biznesmeni Goro e për pasojë ka ndërruar jetë.
Ndërsa e plagosur nga sulmi mbeti edhe motra e tij Eftiqi Qesko, 57 vjeçe, e cila ka marrë një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Vrasja ishte e paramenduar.
53 vjeçari, ka dëshmi se është parë një natë më herët në Himarë, ndërsa ka dyshime të forta se është ndihmuar nga të paktën tre persona të tjerë të cilët u larguan pas krimit.
Biznesmeni, Niko Goro, është i afërm i kryebashkiakut të Himarës, dhe banorët e vlerësojnë si njeri punëtor e të qetë.
"Njeri shumë punëtor dhe i qetë. Nuk kishte as borxhe, as asgjë."
53-vjeçari Leka pritet të rimerret sërish në pyetje, ndërsa do të përballet me drejtësinë me akuzën e vrasjes.
