Ndryshimi i administratorëve të RTV Ora e Ora News, Avokati i "Yldon Media Group" paralajmëron kallëzim penal

Avokati i Presidentit të Yldon Media Group Z.Ylli Ndroqi ka paralajmëruar se do të ndërmarrë kallëzim penal në lidhje me ndryshimin e administratorit shtetëror të RTV Ora dhe Ora News.

Avokati Jordan Daci ka shpjeguar se emërimi i dy administratorëve të rinj është në kundërshtim me ligjin dhe ka për qëllim dëmtimin e aktivitetit ekonomik dhe imazhit të dy televizioneve.

Jordan Daci: “Jemi përpara një rasti të pastër të shpëdorimit të detyrës. Padyshim që urdhri është i paligjshëm. Edhe QKB ka bërë shkelje kur ka bërë regjistrimin e dy administratorëve të rinj që në gjykimin tim janë të paligjshëm në drejtimin e Ora News. Po shqyrtojmë të gjitha mundësitë për të vlerësuar nga pikëpamja penale mundësinë e të bërjes së kallzimit penal por edhe për të zbuluar motivet e këtij ndryshimi.

Për administratorët e rinj, të emëruar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara, Daci kishte këtë thirrje:

Jordan Daci: “Të mos bëhen pjesë e asnjë plani për veprime të paligjshme që cënojnë interesat e Ora News dhe të gjithë pronave të zotit Ndroqi sepse herët a vonë do të bëhen padashje pjesë e një veprimtarie e cila herët a vonë do të jepet llogari si nga pikëpamja financiare dhe penale”  

Në studion e Ora News Daci denoncoi mosrinovimin e lejes së minierës, pjesë e grupit Yldon, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duke lënë të papunë me qindra punonjës.

“Leja vazhdon të mbahet peng edhe pse në mënyrë të paligjshme dhe të pajustifikuar. Kjo ka një kosto për zotin Ndroqi dhe familjarët e atyre punëtorëve që kanë ngelur pa paga dhe buxheti i shtetit humb plot të ardhura që vijnë si pasojë e pagesës së taksave.”

Jordan Daci apeloi autoritetet shtetërore që të reflektojnë pasi veprimet me prapavijë politike të ndërmarra që prej 3 gushtit do të rëndojnë buxhetin e shtetit.

Mos harro:
Kur nisi sulmi politik ndaj RTV Ora dhe Ora News dhe si po vazhdon