"Yuri Kim, shpëtojë këtë popull nga komunistët!" Përplasje mes policisë dhe bizneseve te Inxhinieria e Ndërtimit
Edhe pse kanë paguar taksat deri në fund të vitit biznesmenët, të cilët operojnë në zonën e Inxhinierisë se Ndërtimit në Tiranë janë flakur në rrugë. Mes përplasjeve të forta me policinë e rendit dhe atë bashkiake, ata kërkuan më shumë kohë për lirimin e hapësirave, duke e cilësuar të padrejtë vendimin e Bashkisë Tiranë.
Kjo e enjte nuk nisi si zakonisht për pronarët e dyqaneve që janë te Inxhinieria e Ndërtimit.
Forcat e policisë së rendit dhe asaj bashkiake kishin zbarkuar në zonë për të liruar dyqanet aty.
Kërkesa solli kundërshtinë e pronarëve të bizneseve të cilët thonë se koha që u është vënë në dispozicion është e pamjaftueshme.
"Nuk kemi thënë që nuk largohemi se nuk është prona jonë, konkretisht qiraja vazhdon, është i paguar edhe nëntori. Ne kërkuam shtyrje afati për lëvizjen e biznesit sepse janë biznese familjare, biznese që kanë shumë procedura për tu larguar. Pajisjet e mia janë profesionale, janë gjëra që nuk mund të hiqen për 10 ditë siç ka thënë zotëria në fjalë.Kam paguar taksat e bashkisë nga fillimi i vitit, edhe në kohë pandemie, deri në fund të vitit".
"Ne po na heqin për bukën e gojës, nuk kemi fiq për të shitur. Policia e shtetit në vend që të na mbrojë ne, mbron aferat e atyre".
Të pafuqishëm përballë një numri të lartë efektivësh të policisë, pronari i një biznesi i bëri thirrje Ambasadores amerikane ta shpëtojë.
"O Yuri Kim, aman shpëtoje këtë popull të keqen, aman moj Ambasadore shpëtoje këtë popull nga komunistët!"
Pas përplasjeve policia shoqëroi një prej biznesmenëve.
Në mbështetje të bizneseve ishte dhe deputetja, Albana Vokshi, e cila kërkoi nga policia bazën ligjore mbi të cilin është vepruar.
Sipas saj kontrata mes palëve zgjat deri në fund të vitit ndaj dhe ndërhyrjen e konsideroi të padrejtë.
