Dita e 18-të/ Në grevë urie naftëtarët zëvendësohen me gratë e tyre: Nuk lëvizim, s'kemi paguar as dritat e as ujin
Me duartokitjet e kolegëve, por pa e fshehur trishtimin, gratë naftëtare u futën në grevën e urisë për pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës në uzinë, duke zëvendësuar burrat në ditën e 18 të grevës.
Mes lotësh e dhimbjes treguan arsyet pse shkuan me dëshirë drejt aktit ekstrem përmes të cilit kërkojnë të tërheqin vëmendjen e qeverisë.
“Dje më erdhën dhe mi prenë dritat. Kam tre muaj pa i paguar”, shprehet njëra prej grave.
Thonë se fëmijët në shtëpi i kanë lënë pa drita e ujë, e disa edhe pa ilaçet nga të cilat u varet jeta.
“S’kam lek të marr ilaçe për vajzën që e kam të sëmurë”.
Thonë se bukën e marrin me listë e pamundësia ekonomike i ka bërë t’u presin fëmijëve ëndrrat në mes.
“Listat kanë vajtur ku nuk ka ku të shkojnë më. E hoqa nga shkolla vajzën dhe sot s’kisha ti blija vajzës fletore. Si mund ta mendosh? Sot s’kisha bukë”, shprehen ato.
Fakte që i bëjnë të shpërthejnë në akuza për ata që qeverisin e ata që e përfaqësojnë në Kuvend.
“Qeveritarët po i ndërrojnë maskat sipas kostumeve. Me lule fustani, me lule dhe maska, ndërsa vajza ime qante për një 20 lekëshe”.
Gjendja e rënduar nga ajo që cilësojnë braktisje nga shtetit e problemet shëndetësore të lidhura edhe me punën që kanë bërë, detyruan që dy prej tyre t’i drejtohej spitalit, por me premtimin se do të rikthehen aty në dhomën e sakrificës për dinjitetin e shkelur.
Të mërkurë naftëtarët u futen me forcë në uzinë e mënjëherë më pas u thirrën për negociata nga kompania që ka marrë përsipër të rivërë në punë rafinerinë, por takimi nuk prodhoi zgjidhjen e kërkuar.