Kryemadhi: Varhelyi u manipulua për koalicionet, Europa kujtohet për Shqipërinë kur plas dhuna apo i shqyhen kufijtë

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë në BE, Oliver Varhelyi, gjatë vizitës së tij në Tiranë pak ditë më parë u shpreh me tone të buta për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, duke e vënë theksin te ato pas zgjedhjeve.

Por kryetarja e LSI-së thotë për Rtv Ora se ai ishte keqinformuar nga "sindikata e rilindasve në KE"  dhe u sqarua për këtë çështje  pas takimit me përfaqësues të opozitës.

Kryemadhi: Nuk isha në takim me të, ka qenë Vasili. Por kur ja kishin shpjeguar se nuk ndalon njeri koalicionet paszgjedhore sepse ti pas zgjedhjeve mund të bësh çfarë të duash me mandatet e deputetëve. Koalicionet parazgjedhore janë ato që ka ndaluar Edi Rama. Kur e kuptoi komisioneri sesi ja kishte manipuluar Sindikata e rilindasve brenda KE, u sqarua komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë në BE, Oliver Varhelyi.

Për dezinformimin bën përgjegjëse qeverinë, ndërsa thotë se Europa dhe mbarë bota janë në një situatë të vështirë nga pandemia dhe nuk e ka njeri mendjen se çfarë bëhet me kodin zgjedhor në Shqipëri.

Kryemadhi: Sigurisht. Ju kujtoni që bota rrotullohet rreth Shqipërisë në këtë kohë pandemie? Të jemi të sinqertë. Kur të dalë populli në rrugë dhe plas dhuna rrugës, të hapen kufijtë dhe të turren ato skafet  me emigrantë dhe klandestinë drejt brigjeve të Italisë, apo të shqyhen kufijtë e Europës, pastaj kujtohen për Shqipërinë.

Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana