Nobeli në Ekonomi për dy profesorët e teorisë së Ankandeve
"Ankandet janë kudo dhe ndikojnë në jetën tonë të përditshme. Laureatët e Shkencave Ekonomike të këtij viti, Paul Milgrom dhe Robert Wilson, kanë përmirësuar teorinë e ankandit dhe kanë shpikur formate të reja ankandi, duke përfituar shitësit, blerësit dhe taksapaguesit në të gjithë botën," shkruan faqja zyrtare e Çmimit Nobel.
Dyshja janë bashkëpunëtorë të ngushtë me Universitetin e Stanfordit. Ankandet ndihmojnë në shitjen e një larmie produktesh, përfshirë artin, mineralet dhe reklamat në internet.
Wilsoni "ishte i pari që krijoi një kornizë" për ankandet e sendeve me një vlerë të përbashkët, sipas komitetit të çmimit Nobel. Në punën e tij, ai shpjegoi se ofertuesit do të ofrojnë më pak nga sa mendojnë se objekti ose shërbimi ia vlen, sepse kanë frikë nga mbipagimi.
Milgrom doli me një teori të tijën për përzierjen e vlerës së përbashkët dhe private, dhe ai shqyrtoi se si luan i ashtuquajturi "mallkimi i fituesit" në raste të ktilla. Ai zbuloi se njerëzit nënvlerësojnë më pak në të ashtuquajturit ankande angleze, ku çmimet fillojnë nga më i ulëti dhe rriten, sesa në ankandet holandeze, ku ata fillojnë me çmimet më të larta dhe ulen.
Megjithatë "kontributi më i njohur i ekonomistëve", sipas Komitetit, është puna e tyre në hartimin e formateve të reja të ankandit për situata komplekse, përfshirë formatin që qeveritë tani përdorin për të alokuar frekuencat e radios për operatorët e telekomit.
Paul Milgrom lindi në 1948 në Detroit. Ai u shkollua në Universitetin e Stanfordit, ku mori një doktoraturë në 1979-ën, dhe ku tani është profesor.
Ndërkaq, Robert Wilsoni lindi në vitin 1937 në Gjenevë. Ai është arsimuar në Universitetin e Harvardit dhe tani është një profesor emeritus në Stanford.
Darka tradicionale e fituesve në dhjetor është anuluar për të shmangur rrezikun e përhapjes së Koronavirusit.
Ndërkohë, Çmimi i vitit të kaluar iu dha dy studiuesve nga Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit dhe një të treti nga Universiteti i Harvardit, për hulumtimet e tyre novatore në përpjekjet për të zvogëluar varfërinë globale.
Çmimi prestigjioz përmban një vlerët monetare prej 1,1 milion dollarësh dhe një medalje të artë. Më herët, çmime të këtilla janë fituar nga mendjendritur që kanë revolucionarizuar sistemet ekonomike, si Paul Krugman, Milton Friedman, apo Jozef Stiglic.