Familjet shqiptare shpenzojnë 41% të rrogës për bukë, rriten edhe shpenzimet për kulturë e veshje
Familjet shqiptare kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për argëtim dhe kulturë gjatë vitit të kaluar, ndërsa kanë ulur ato për transport dhe ushqim. INSTAT raporton se vetëm 3.1% e shpenzimeve mujore të familjeve shkon për arsim.
Familjet shqiptare kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për argëtim dhe kulturë gjatë vitit 2019, ndryshe nga situata e krijuar prej pandemisë ku prej muajsh institucioneve të kulturës ju mungojnë vizitorët.
Anketa e buxhetit të familjes e publikuar nga INSTAT, thekson se janë shpenzuar 54.3% më shumë për këtë sektor krahasuar me vitin 2018.
Rritje e ndjeshme është shënuar gjithashtu në shpenzimet për veshje dhe këpucë me 31.5% si dhe pije alkoolike e duhan me 16.4%.
Reduktime në shpenzime janë regjistruar për transport me 5.5 përqind dhe në ushqime me 2.5 përqind.
Sipas INSTAT një familje me 4 persona harxhon 82 mijë e 235 lekë në muaj për ushqime.
Në krye të listës qëndron Tirana, ku është përllogaritur se një familje në shpenzon mesatarisht 98 mijë e 402 lekë, ndjekur nga pas nga Korça me 82 mijë e 224 lekë dhe më pas Fieri.
Nga ana tjetër në fund të listës kanë ngelur Dibra, Elbasani dhe Kukësi, të cilat kanë të ardhurat më të ulëta në vend.
Pavarësisht rënies, grupi i ushqimeve vijon të marrë 41.3% të të ardhurave mujore të një familje, i ndjekur nga pas nga shpenzimet për banesën si ujë, energji elektrike dhe qira me 10.1% të totalit.
Më pak para janë shpenzuar për arsim, duke zënë vetëm 3.1% të totalit.