"3-4 mln euro për të mbajtur gjallë turizmin", Kasmi: "Lufta" është mprehur më mirë, kemi një vit përpara

Operatorët turistikë i kanë drejtuar zyrtarisht qeverisë me propozime konkrete për një paketë ndihme për përballimin e efekteve të pandemisë së COVID 19, që ende po godet këtë sektor.

Rexhep Kasmi, kreu i Shoqatës së Turoperatorëve thotë se është imediate krijimi i një strategjie për sektorët që duhet të ndihmohen.

Kasmi: Në terësi kërkesa ka qenë e përsëritur për një ndihmë të sektorit të turizmit por të studiuar dhe të përshtatur sipas nevojave që kanë sektorë të ndryshëm. Në turizëm nuk kemi pasur nevojë për pagë lufte por për një përkrahje të dedikuar dhe të studiuar mirë me një afat të pacaktuar ashtu siç është dhe situata.

Kasmi thotë se për turizmin, "lufta" sapo ka filluar.

Kasmi: Jemi tre shoqata në sektorin e turizmit, nuk janë thirrur nga qeveria për tu ulur në tavolinë dhe për të identifikuar rrugët më të mira për mbështetje. Nuk kërkojmë nga qeveria që të na kompensojë biznesin e paralizuar. Por nëse një pagë u identifikua si pagë lufte, lufta mbaroi për disa sektorë por për turizmin është mprehur më mirë. Puna normale pritet të nisë në maj-qershor të vitit të ardhshëm, është një kohë shumë e gjatë, më e gjatë se ajo lufta me tre paga mujore.

Por ndërsa financat e buxhetit të shtetit janë në vështirësi, Kasmi thotë se ndihma për turizimin nuk kërkon shifra të mëdha.

Kasmi: Bëhet fjalë për 3-4 mln euro. Shteti mund të gjejë sektorët që duhen ndihmuar. Është fjala për shifra shumë të vogla, por është një ndihmë që u ka munguar shumë subjekteve.

Në një intervistë për Rtv Ora, Kasmi u shpreh besimplotë se qeveria do të reflektojë për kërkesat e tyre, në të kundërt ai nuk përjashtoi as protestat.

Kasmi: Shpresojmë se do të kemi një raport si partnerë me shtetin. Ne nuk jemi struktura që të kemi në thelbin tonë politikat e agresivitetit dhe konfrontimi por ka subjekte që janë gati të dalin në rrugë të protestojnë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre në këtë formë. Gjykoj që shteti do të reagojë dhe konsultohet për të gjetur një zgjidhje. Kemi një vit përpara.

Intervista në studio me gazetaren Besmira Pelushaj, përgatiti për online Besjana Kuçana