Mësim në pandemi, Mehmeti: Ministrja sillet si xhandar, dizenfektantëve në shkolla u hedhin ujë kur mbarohet alkooli

Eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti, ngre shqetësimin për situatën në institucionet e arsimit, duke deklaruar se institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë asnjë masë për pandeminë.

Mehmeti: Është situatë shqetësuese, dominon një ndjenjë frike dhe ankthi dhe pasigurie në shkolla. Nuk ka masa, masat janë lënë në dorë të lirë. Shohim një Ministre Arsimi që sillet si xhandar. Nuk ka parë historia që një ministre të shkojë dhe ti bërtasë fëmijës ku e ka maskën, pse nuk e ka vënë! Ka një Inspektoriat për këtë. Viti shkollor filloi shumë mbarë, ja në këtë mënyrë (tregon foton), ky ishte distancimi, nxënësit ishin ngjitur njëri me tjetrin.Nuk kishte buxhet, na u tha do të marrim 1000 mësues para një jave.

I ftuar në Ora News, ai solli në vëmendje shkollën "Jeronim De Rada", e cila  ishte e para që u trondit nga pandemia, me 18 mësues të prekur nga virusi ose të izoluar.  

Mehmeti: Këtu bëhej gallatë, bëheshin përgatitjet për kryetarin e bashkisë që të inaguronte ndërtesën.

Sa i takon përdorimit të maskave, ai shprehet se janë një kosto shtesë për nxënësit dhe mësuesit.

Mehmeti: Kosto që shkon deri në 600 lekë për person. Po të kesh 2-3 fëmijë, kostoja rritet edhe më shumë.

Nga ana tjetër ai denoncon fshehjen e infektimeve në kopshte, por edhe mungesën e dezinfektantëve në shkolla.

Mehmeti: Janë mbyllur kopshte dhe çerdhe që është skandaloze. Në kopshtin 'Xixëllonjat', fshihen njerëzit që dalin me Covid. Janë 20 punonjës atje, nuk u bëhet tamponi. Ka të dhëna nga mësues dhe nxënës që ku mbarojnë dizenfektantët u hedhin ujë, mjafton që mbajnë erë por nuk ka alkool brenda.

Lidhur me vendimin e qeverisë për rritjen e pagave të mësuesve të sistemit parauniversitar, Mehmeti thotë që kjo qeveri ka një qasje poshtëruese  ndaj dijes.

Mehmeti: Në asnjë vend, në asnjë rast nuk gjen një diskriminim dhe poshtërim që kanë ndaj dijes dhe mësuesit. Si i rrit pagat me 40% të infermierëve, mjekëve dhe gjithë punonjësve të shëndetësisë dhe ata që i kanë mësuar marrin më pak, ku ndodh kjo?! Ku ndodh që ti mund të marrësh më shumë se ai që të mëson? Ka një hiearki pagash.Tani që e kuptojnë që janë në ikje e sipër duan të marrin vesh ku kanë ndonjë shkollë se mos i kanë harruar.

Eksperti i arsimit me rezerva flet edhe për mësimin me katër turne dhe cilësinë e tij brenda 30 minutëshit.

Mehmeti: Me 30 minuta si mund të bësh eksperimentin kimik, si mund të kontroll detyrat dhe projektet dhe si do të shpjegosh? Ne kemi një mësues që do të rrijë me dopio maskë pas të enjtes. Në mars do të dalë një urdhër që falini prapë ato gjobat se ua kemi vënë gabim. Po të jetë për ti vënë në faturën e dritave ne kemi një taksë që e paguajmë sot të gjithë, taksa e përkohshme e arsimit dhe që shkon nga 6.7 deri në 8.2 mln euro në vit. Çfarë bëri për masat anti-covid, ku shkojnë? Thotë kam marrë lekë nga qeveria. E keni parë shkollën "Sami Frashëri", që thotë është shkolla ime, e ka lënë rrënojë. Nuk ka filluar akoma, nuk është bërë tenderimi. Pse është me 4 turne? Pse të gjitha shkollat dhe kopshtet janë në rindërtim? Sepse ato kanë para.

Intervista në studio me gazetaren Siklajda Shorja, përgatiti për online Besjana Kuçana