Këlliçi: E pafalshme nëse PD vjen nesër në pushtet e Veliaj s'përfundon pas hekurave
Në një intervistë për Ora News dhe gazetaren Matilda Mcini, kryetari i FRPD, Belind Këlliçi ka hedhur akuza të forta ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Sipas tij, Veliaj bën vetëm propagandë, ndërsa shtoi se, për stafin e tij të PR-it në bashki paguhen çdo muaj rreth 80 milionë lekë.
“Nga mëngjesi në darkë nuk ka fokus punën, por montimin e kasetave brenda Kinostudios së Re që ka ngritur brenda bashkisë ku harxhohen mesatarisht rreth 80 milionë lekë në muaj për stafin e tij prej 35 personash që punojnë për PR-in e tij, i cili nuk bën asgjë tjetër veçse marketingut dhe PR-it të tij.
Nuk është i fokusuar as te zhvillimi e as te hapja e vendeve të punës. Nuk është modern të falimentosh qytetarët, nuk është moderne të jesh 100% propaganda e të mos kesh thelb”, tha Këlliçi.
“Realisht i neveritshëm dhe i pabesueshëm nga asnjë qytetar tashmë”, e etiketoi Këlliçi Veliajn.
Kryetari i FRPD bëri edhe një premtim publik nga studio e Ora News.
“Është e pafalshme, edhe për mua si politikan i brezit të ri, nëse nesër PD vjen në pushtet dhe Erion Veliaj nukl dërgohet prapa hekurave. Është një bandit, një hajdut, një mashtrues, i cili përveç të gjithave që folëm sot, është i implikuar drejtëpërdrejt në vrasjen e të riut Ardit Gjoklaj, që e dime të gjithë si e ka mbuluar atë çështje dhe duhet të vijë dita që ky njeri duhet të jape llogari një më një”.