Komisioneri i zgjerimit "legjitimon" nga Brukseli ndryshimet në kod: Ligji nuk ndalon koalicionet paszgjedhore

Komisioneri europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, u shpreh i pa shqetësuar për ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor nga socialistët. Ai nënvizoi gjatë një konference në Bruksel, kur prezantoi progres raportin, faktin se ligji nuk ndalon koalicionet pas zgjedhore. Hollësitë e tjera, komisioneri, tha se do t’i diskutojë vetë me palët në Tiranë.

Miratimi i ndryshimeve në kodin zgjedhor në Kuvend ka rritur tensionet politike në vend.

Në dijeni të tyre është vënë edhe Komisioneri për Zgjerimin  e BE-së, Olivér Várhelyi.

Nga Brukseli, ai deklaroi se do të angazhohet seriozisht për këtë çështje gjatë vizitës në Tiranë  ditën e nesërme, por nga ana tjetër ai theksoi se me rëndësi është që ligji nuk ndalon koalicionet paszgjedhore ndërmjet subjekteve politike edhe nëse këto nuk kanë qenë bashkë para zgjedhjeve.

Pyetje: A besoni se shtetet anëtare do të miratojnë kuadrin negociues për Shqipërinë pa patur një gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale. Pyetja e dytë ka të bëjë me kodin zgjedhor, a mendoni se ndryshimet që u bënë nga qeveria, të cilat e bëjnë të pamundur për forcat e tjera politike të krijojnë koalicione para zgjedhjeve, janë të pranueshme apo jo?

Várhelyi: Për koalicionet më është thënë që kjo është një çështje madhore në Tiranë dhe do të përpiqem që ta shoh me vëmendje vetë por ajo që mbaj mend është se me datë 5 qershor u arrit një marrëveshje shumë e mirë ndërmjet palëve,  e cila u pranua dhe nga OSBE-ODIHR, dhe në të cilën edhe ne patëm kontributin tonë që ajo të arrihej. Prioriteti im vazhdon të jetë që opozita në parlament dhe jashtë parlamentit si dhe qeveria të bien dakord për reformën zgjedhore.  Mendoj se për aq kohë sa ligji nuk ndalon krijimin e koalicioneve pas zgjedhjeve, edhe nëse partitë nuk kanë qenë së bashku si koalicion përpara zgjedhjeve, mendoj se mund të shikojmë një zgjidhje të favorshme. Por në rast se parandalohen koalicionet pas zgjedhjeve atëherë do të na duhej të mendonim gjërat më mirë. Por këto biseda do ti bëj në Tiranë, dua të angazhohem terësisht me autoritetet shqiptare jo vetëm me opozitën por edhe qeverinë, por edhe me opozitën jashtëparlamentare pasi do të ishte gjynah nëse kjo çështje do të pengonte konferencën e parë ndërqeveritare.

Në konferenca për shtyp mbi prezantimin e Paketës së Zgjerimit të BE-së 2020, Komisioneri ishte i prerë për Gjykatën Kushtetuese kur tha se pa vënien në funksion të saj nuk mund të kemi konferencë ndërqeveritare për negociatat.

Várhelyi: Kushti që ne kemi në përfundimet e Këshillit që hapin rrugën për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e bën të qartë që kemi nevojë për një Gjykatë Kushtetuese plotësisht funksionale për të nisur konferencën e parë ndërqeverirtare dhe shohim që ka angazhim nga presidenti dhe qeveria për të emëruar dy anëtarët që mungojnë. Kjo do të na çojë edhe më pranë një gjykate plotësisht funksionale kushtetuese ndaj inkurajojmë të gjitha palët të  vijojnë me këtë në mënyrë që gjykata të bëhet funksionale.

Várhelyi theksoi se mbeten të angazhuar për mbajtjen sa më shpejt të  konferencës ndërqeveritare, brenda presidencës gjermane.

Se cili do të jetë vendimi i shteteve anëtare në Këshillin Europian ai nuk e di, por nënvizoi se raporti i KE është më solid se kurrë.

Várhelyi: Jemi ende të angazhuar që të nisim sa më shpejt të jetë e mundur konferencën e parë ndërqeveritare sidomos gjatë presidencës gjermane. Shpresoj që kjo do të jetë e mundur dhe do të jetë thelbësore për mua të shkoj në Tiranë dhe tu bëj thirrje të gjithë palëve politike dhe të gjithë pjesëmarrësve në këtë dialog të ecin përpara dhe të mos ndalen, por të realizojnë të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli. Kur bëhet fjalë për raportet sesi do të perceptohen, ne kemi bërë maksimumin që të përmirësojmë cilësinë e raporteve, kemi bërë të gjithë procesin shumë herë më të aksesueshëm për shtetet anëtare, jemi mbështetur edhe te kontributet dhe faktet e tyre, jemi angazhuar me të gjithë kur ishte fjala për gjetjen e fakteve. Sot keni një raport më solid sesa kurrë ndonjëherë. Shpresoj që Këshilli do të jetë në gjendje të ecë përpra dhe ne do të kemi marrëveshje sa i përket kuadrit negociues për të dyja vendet.