"Lëshuan helm dhe tym", Rama ironizon opozitën: Reagimi i BE-së për kodin, krejt tjetër nga ç'u paralajmërua

Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka mundur të lexojë ende progres-raportin e KE-së për Shqipërinë për shkak të axhendës së ngjeshur, por mbi këtë temë tha se do të flasë gjerë e gjatë nesër me komisionerin për zgjerimin e BE, Varhelyi.

Por edhe pse nuk e ka lexuar, ai tha se pasqyra është krejt tjetër nga ajo që paraqet opozita.

Rama: Nuk e kam lexuar ende progres-raportin se kam qenë i angazhuar me punë të tjera, nesër pres këtu komisionerin dhe do të diskutoj gjerë e gjatë. Më vjen mirë që progres-raporti është pasqyrë komplet e ndryshme nga pasqyra që përpiqen çdo ditë t'ju vënë përpara shqiptarëve ata të cilët flasin në emër të Europës por ndërkohë kanë hesapet e luftës së ethshme për pushtet në radhët e opozitës.

I kënaqur ishte edhe me reagimin e Ambasadës së BE-së në Tiranë  për ndryshimet në kodin zgjedhor.

Rama: Më vjen mirë që edhe deklarata e BE për reformën zgjedhore ishte krejt e kundërta nga çfarë u tha dhe paralajmërua, duke paralajmwruar re të zeza mbi Shqipërinë dhe duke hedhur një helm dhe tym që ta kapi kush ta kapi, të çoroditet kush të çoroditet dhe të humbasë rrugën kush të humbasë rrugën për të shkuar pas atyre që duan ti çojnë njerëzit nëpër rrugët e tyre qorre të një përpjekje të dëshpëruar për pushtet që nuk do të dalë asgjëkundi.

Por ndërsa ndër kritikat kryesore në progres-raport ishte ligji për median, shefi i qeverisë shprehu vendosmërinë për të miratuar paketën Antishpifje.

Rama: Ai ligj do të kalojë në Kuvend sapo të jetë përfunduar në të reflektimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias.

Deklaratat Rama i bëri pas mbledhjes së shtabit elektoral të PS-së.