Bjellorusi, arrestohet në kufi me Ukrainën opozitarja Maria Kolesnikova
Autoritetet kufitare të Bjellorusisë thanë se Maria Kolesnikova, një ndër anëtaret kryesore të opozitës, u arrestua të martën në mëngjes (8 shtator), në momentin kur do të kalonte për në Ukrainën fqinje.
Zyrtarët thanë se Kolesnikova po udhëtonte me dy anëtarë të tjerë të opozitës, Anton Rodnenkov dhe Ivan Kravtsov, të cilët përfundimisht hynë në Ukrainë.
Rrethanat se si grupi i opozitarëve u ndodh në kufi nuk janë ende të qarta.
Agjencia e lajmeve Interfax për Ukrainën tha se veprimtarja kishte grisur qëllimisht pasaportën në mënyrë që zyrtarët ukrainas të kufirit të mos ishin në gjendje ta lejonin të kalonte.
Zëvendës Ministri i Brendshëm i Ukrainës Anton Gerashchenko tha se zonja Kolesnikova, e cila ishte zhdukur gjatë 24 orëve të mëparshme, kishte penguar me sukses "një dëbim me forcë nga vendi i saj".
Menjëherë pas incidentit, Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko u tha gazetarëve rusë se ai nuk do ta përjashtonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas katër javë protestash të mëdha, por refuzoi çdo bisedim me kundërshtarët, që ai tha se po e çonin vendin drejt katastrofës.
Lexo edhe: Lukashenko: Ndoshta kam qendruar pak gjatë në pushtet, por vetëm unë mund ta mbroj Bjellorusinë