Humbi të vëllanë nga covid-19, mesazhi i Ylli Ndroqit: Urojmë që kurrë të mos përjetoni atë që unë dhe familja ime po kalojmë prej muajsh

Presidenti  i ”Yldon Media Group” falenderon të gjithë ata që i janë gjendur pranë në këto moment të vështira të humbjes së vëllait të tij, Lulzim Pasmaçiu, i cili prej 29 vitesh mbante dhe postin e koordinatorit të “Yldon Media Group”.

Luli, siç të gjithë ata që njihnin e thërrisnin, nuk mundi t’i mbijetonte virusit vdekjeprurës dhe humbi jetën mëngjesin e djeshëm në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”.

“Unë dhe familja ime ju urojmë që kurrë në familjet tuaja të mos përjetoni atë që unë dhe familja ime po kalojmë prej muajsh” shkruan Presidenti i "Yldon Media Group", Ylli Ndroqi në një mesazh postuar në rrjetet sociale.

Zoti Ndroqi shkruan se ndihet thellësisht i prekur dhe mirënjohës për secilin prej mijëra personave që u gjendën pranë tij dhe familjes së tij

“Duke falënderuar emër për emër secilin që më qëndroi pranë mua dhe familjes sime në këto momente të dhimbshme, ju kërkoj ndjesë për pamundësinë për për t'i kthyer përgjigje mesazheve tuaja. Janë më dhjetëra mijëra të tilla të mbërritura në telefonin tim, ndaj jam thellësisht i prekur dhe mirënjohës për secilin.”

Në harkun kohor të gati 40 ditëve virusi vdekjeprurës i mori jetën edhe xhaxhait dhe djalit të xhaxhait të presidentit te "Yldon Media Group".