Beti Njuma: Sms-të shantazhuese me muaj, vazhdimisht nën presionin e pushtetit

Në një portal lexova sot se mesazhet dhe ankesat e vazhdueshme të Erion Veliajt për lajmet dhe qendrimet kundër tij në Ora News, ishin arsyeja pse Ylli Ndroqi vendosi të më shkarkonte si drejtore e informacionit.

S’dua të merrem fare me shkrimin në fjalë dhe as të bëhem pjesë e një polemike që veçse do ushqente sipërfaqësisht një luftë që s’bëhet as për drejtësi e as për dinjitet. Por më duhet të sqaroj diçka së paku për ata qindra njerëz që më kanë shkruar, telefonuar e mbështetur publikisht gjatë këtyre orëve në rrjetet sociale.

Mesazhet në fjalë të kryetarit të bashkisë e kanë zanafillën që në nëntorin e vitit 2018 kur unë prej më pak se dy muajsh kisha marrë drejtimin e redaksisë së informacionit të Ora News. Kanë vijuar për një periudhë disa mujore gjatë së cilës kam ndjerë vazhdimisht presionin e pushtetit por jo të pronarit për lajmet dhe shqetësimet që bashkë me stafin kemi ngritur e transmetuar në kronikat tona.

Unë e kuptoj që interesi dhe nevoja imediate është që të bëhet politikë me largimin tim si drejtore por e vërteta është se unë jam larguar pas shumë muajsh nga nisja e këtij presioni, me kërkesën time, në shtator të 2019. E vërteta është se ikja ime nuk ndryshoi asgjë në linjën editoriale të televizionit, përkundrazi u bë edhe më e vendosur pas ashpërsimit të gjuhës së atyre që kërkonin memecërinë tonë.

Kërkova largimin nga pozicioni i drejtues pas një sfilitjeje një vjeçare nga mëngjesi në mbrëmje, në një ambient tejet të ndotur si Shqipëria ku edhe për shkak të mbrojtjes së një kauze fisnike si ajo e Teatrit ti lexon përdhosje të emrit nga një njeri që nuk e sheh shoqërinë si një hierarki meritash dhe pushtetesh dhe postin që mban jo si një shërbim ndaj qytetarëve. Me mirekuptim të plotë nga zoti Ndroqi kërkova të jem pjesë e pandashme e Orës me edicionin qëndror të lajmeve dhe intervistën politike të mbrëmjes ku kam pasur kurdoherë lirinë editoriale dhe asnjëherë presionin e pronarit.

Ke bërë pak gabim i dashur Ndroqi! Të kërkova të jem rehat, por jo kaq rehat, me një bashkëpunim kaq të shkëlqyer. Kam qenë dhe vazhdoj të mbetem Drejtore me të drejta të plota e hapësirës sime të përnatshme televizive teksa në skenën e këtij teatri të shembur politik vijon të luhet dramaturgjia e humnerës së një kaste të marrë fund dhe katastrofa e mosnjohjes së saj.