Radha kilometrike në Kakavijë: Qeveria bën me faj Athinën vë postblloqe në rrugë: Kthehuni mbrapsht!
Qeveria shqiptare ja hedh përgjegjësinë qeverisë greke, për situatën e krijuar në pikën kufitare të Kakavijës.
Përmes një mesazhi të gjatë në Facebook, kryeministri Rama thotë se ka patur komunikim të vazhdueshëm me kryeministrin Mitzotaqis e me autoritetet e tjera greke.
Sipas tij, nuk bëhet fjalë për asnjë lloj padrejtësie apo diskriminimi ndaj shqiptarëve, por për një regjim të ri kontrollesh kufitare, me tamponimin e detyrueshëm të kujtdo që kalon kufirin e Greqisë, qoftë shqiptar, qoftë suedez apo britanik
Unë nuk e di çfarë kuptimi ka vendosja e detyruar e tamponimit të çdo individi që hyn në një shtet të caktuar, sepse të gjithë e dimë që tamponimi nuk tregon asgjë kur virusin mund ta kesh marrë një ditë më parë dhe në fazën disa ditore të inkubimit ai nuk shfaqet.
Ashtu sikundër, e kemi parë edhe që jo gjithnjë tamponi e zbulon infeksionin me Covid19. Por kështu e ka vendosur Greqia dhe jo vetëm Greqia po edhe plot shtete të tjera, ndërkohë që të tjera shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk e kanë këtë rregull.
"Kohe e mallkuar" - Rama e cilëson çmenduri atë që po ndodh në Kakavijë, ku të gjithë qytetarët janë dyndur të kalojnë kufirin, por sjell si shembull atë që ndodhi të premten në portin e Doverit në Britani
Kjo është koha e mallkuar që po jetojmë, ku normaliteti me të cilin jemi mësuar një jetë, ia ka lënë vendin imponimit të disa rregullave të pamendueshme deri dje, si edhe konfuzionit në mënyrën se kur e si vendosen, duke bërë që edhe shtete të vetë BE-së, të kenë rregulla të ndryshme nga njëri-tjetri, duke trajtuar në mënyrë të diferencuar njëri-tjetrin.
Ndërkaq ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj njoftoi se Policia e Shtetit do të vendosë pika kontrolli në akset rrugore që çojnë drejt pikave të kalimit kufitar, me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe të pritjes në radhë të gjatë të qytetarëve dhe sidomos të fëmijëve.
Me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe të pritjes në radhë të gjatë të qytetarëve dhe sidomos të fëmijëve, Policia e Shtetit do të vendosë pika kontrolli në akset rrugore që çojnë drejt pikave të kalimit kufitar për të këshilluar dhe kërkuar nga qytetarët që të shtyjnë planet e udhëtimit drejt Greqisë për një moment më të përshtashëm, ose të paktën të ndalojnë dhe të presin në kushte më të përshtatshme në qytetet ose fshatrat përgjatë rrugës, deri në krijimin e mundësive reale për kalimin e kufirit, pa orë të stërgjatura pritjeje.
Ftojmë qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim me forcat e Policisë dhe strukturat e tjera të angazhuara në menaxhimin e kësaj situate të pazakontë, të padëshiruar, por edhe të pashmangshme
PD fajeson qeverine
Nga ana e saj Partia Demokratike, ndërsa shpreh ngushëllimet për familjen e të miturit që humbi jetën në Kakavijë fajëson qeverinë për braktisjen e qytetarëve.
Sipas PD-së “është në përgjegjësinë e qeverisë që Shqipëria u shndërrua në zonë të kuqe COVID, pasojë e të cilës është edhe kjo krizë humanitare në kufi”. Zgjidhja e krizës humanitare kërkon angazhimin në nivelet më të larta të qeverisë dhe komunikim të vazhdueshëm me qytetarët shqiptarë. Njerëzit meritojnë të trajtohen me dinjitet nga shteti i tyre.
Shqiperia nuk do i rikthehet karantinimit - Rama vë në dukje se në radhën e gjatë të Kakavijës ka edhe disa grekë, që kanë rendur ti shpëtojnë karantinës që hyn në fuqi në 16 gusht. Kryeministri tregon edhe planin e masave që ka qeveria për përballimin e pandemisë në ditët në vijim
Nga ana jonë ne, Shqipëria, nuk do t'i rikthehemi karantinimit të detyruar për ata që vijnë nga jashtë, as nuk do të rishtrëngojmë lëvizjen e njerëzve brenda për brenda.
Por do të vazhdojmë të përsërisim se kjo luftë me virusin Covid19, kërkon që çdo qytetar të zbatojë rregullat e mësuara përmendësh tanimë.
Virusi do të jetë vërdallë edhe për shumë kohë dhe ne duhet të mësohemi me faktin se jemi të rrezikuar, e nga ky rrezik nuk na mbron dot askush nëse nuk mbrojmë veten e njëri-tjetrin. "