Takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë më 2 shtator, Hoti edhe Vuçiq konfirmojnë pjesmarrjen
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell deklaroi se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator.
Ambasadori Grenell e bëri njoftimin të enjten në Twitter, por nuk dha hollësi të tjera
Hoti: Me Serbine do takohemi si 2 shtete te pavarura
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti konfirmoi se më 2 shtator do të marrë pjesë në takimin e thirrur në Uashington.
Ai tha se në këtë takim, me palën serbe do të takohen si “dy shtete të pavarura.
“Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndërkaq, ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku tha se ftesa për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ardhur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell dhe Këshilltari i presidentit amerikan për Siguri Kombëtare, Robert o’Brien.
“Faleminderit që siguroheni që shtetet e lira dhe demokratike gjithmonë mund të llogarisin në ndihmën e SHBA-së”, ka shkruar ajo.
Vuçiq: Ne do të marrim pjesë në bisedime
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq konfirmoi pjesëmarrjen e Serbisë në takimin e 2 shtatorit në Uashington.
"Serbia nuk është në një pozitë dhe nuk do të ishte mirë t’i refuzojë bisedimet. Ne do të marrim pjesë në bisedime dhe temat, me sa kam biseduar me Grenell, janë ekonomike. Këto janë tema të mira", tha Vuçiq në një intervistë për televizonin Pink të Serbisë.
Presidenti Vuçiq po ashtu tha se nuk e di se pse Grenell në lajmërimin e tij ka përdorur fjalën “negociata” dhe jo “bisedime", dhe se kjo është një pyetje për të (për Grenellin). Ai shtoi se pozicioni i Serbisë është që të bisedohet me palën tjetër, edhe pse SHBA-ja, administrata e Brukselit zyrtar dhe një numër i madh i shteteve të BE-së, e shohin Kosovën dhe Serbinë si dy shtete të pavarura.
/REL/