Beteja për jetën në spitalin Infektiv, ministria publikon videon për sensibilizim

Gjashtë javë pas hapjes së vendit dhe daljes nga karantina (01.06.20) numri i viktimave në Shqipëri është trefishuar, në krahasim me numrin në tre muajt e shtetrrethimit.

Situata bëhet serioze kur shifrat e të shtruarve në spital vijojnë të rriten.

Dje u raportuan 106 persona të shtruar, 9 pacientë janë në terapi intensive dhe 1 prej tyre është i intubuar.

Në pamje duken pacientët e shtruar që kanë nevojë për oksigjen dhe mjekët e infermierët që vrapojnë për ti ndihmuar.

Degjohen dhe rënkimet dhe "Oh nëna ime vdiqa, më çajnë kockat..."

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndarë në faqen e saj në Facebook pamjet nga brenda të Spitalit Infektiv, ku prej më shumë se 130 ditësh mjekët dhe infermierët po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për trajtimin e pacientëve të prekur me COVID-19.

Në mesazhin e saj Manastirliu ka apeluar edhe njëherë për mbajtjen e maskave mbrojtëse, për të mos rrezikuar jetën!

''Spitali infektiv pa koment!

Lutemi, vendoseni maskën. Mos rrezikoni jetën tuaj dhe të njerëzve tuaj më të dashur” - shkruan Manastriliu.

Deri më tani në vend janë shënuar 107 viktima nga Covid-19 dhe janë regjistruar 3,906 të infektuar.