Noka: Mediat italiane konfirmojnë pajisjen e paligjshme të përgjimit, të zbardhet ky krim shtetëror
Partia Demokratike kërkon që të zbardhet sa më parë çështja e pajisjes së përgjimit. Nga selia e Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka kërkoi hetime të plota për rastin. Duke cituar mediat italiane, Noka tha se ato konfirmojnë dyshimet për pajisjen e përgjimit që ka hyrë në Shqipëri.Noka: Nëse pajisja do të përdorej vetëm për trajnimin e punonjësve të policisë shqiptare, atëherë përse ajo nuk është deklaruar, përse është mbajtur e fshehtë. Skandali i përgjimit të paligjshëm ka tronditur tashmë edhe vendin fqinj. Media italiane flet për dyshime, për lidhje në konflikt interesi me kompaninë prodhuese të pajisjes së gjurmimit. Megjithëse çështja po ndërkombëtarizohet, sërish Rama nuk jep asnjë shpjegim para opinionit publik, përse u fut pajisja në mënyrë të paligjshme, përse u përdor pa autorizimin e Prokurorit të Përgjithshëm, kush e përdori, kush u përgjua.Deputeti demokrat kërkoi zbardhjen e ngjarjes.Noka: Ashtu si Partia Demokratike, si qytetarët, opinioni publik, edhe media italiane thekson se kjo histori ka nevojë për transparencë. Duhet zbardhje e plotë e kësaj afere, e këtij krimi shtetëror. Dhe përgjegjësit me Saimir Tahirin në krye të dalin pa vonesë para ligjit. Prokuroria duhet të hetojë në mënyrë të plotë e të pandikuar dhe për këtë lypset largimi i menjëhershëm i Sajmir Tahirit./Ora News/