Transballkanikja, IKMT: Vijon operacioni, do të prishen 180 objekte
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar aksionin në rrugën transballkanike për prishjen e objekteve që preken nga projekti për zgjerimin e rrugës. Deri tani janë prishur 13 objekte, ndërsa deri në fund të ndërhyrjes do të shemben rreth 180 ndërtesa. Banorët ndonëse po boshatisin banesat, kanë kundërshtuar projektin duke kërkuar shpronësim me vlerën reale të tregut.IKMT ka vijuar aksionin në rrugën transballkanike me prishjen e disa ndërtesave, në kuadër të projektit për zgjerimin e rrugës.Pavarësisht kontestimeve për vlerën e shpronësimit, banorët që preken kanë filluar boshatisjen e banesave.Ata thonë se kanë mbetur në qiell të hapur.Banore: “Më prishën shtëpinë.Mbase iki dhe unë mbas shtëpisë. Ku do rri nëna? Ku do shkoj? Unë nuk kam fuqi asgjëkundi. Shikoje si jam. Çfarë shpenzimesh kemi bërë, unë atë e kam bërë me djersë. Po tani? Në këtë gjendje që jam unë ku do mbytem? Ku do shkoj?"Banor: “Kam frikë se do vdes nga ky terror që po bën ky shtet. Po na terrorizon. Po na shkatërron familjen. Ku do futem unë? Punën ma heq, shtëpinë ma heq. Ku do më çojë mua ky?”Forca të shumta të policisë së shtetit dhe asaj rrugore kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës aksionin e prishjes së ndërtesave për të shmangur çdo incident të mundshëm.
